Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia jep detaje për vdekjen e një personi nga zjarri në Malishevë

Asfiksia nga tymi, dyshohet të jetë shkaku i vdekjes së një qytetari në fshatin Novosellë të Malishevës. Ky konstatim fillestar, sipas Policisë së Kosovës, është dhënë nga mjeku kujdestar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku trupi i të ndjerit është dërguar nga familjarët e tij. Gjithsesi, për konstatimin përfundimtar, me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Policia e Kosovës, stacioni policor në Malishevë përmes një komunikate për media, ka dhënë edhe detaje tjera për vdekjen e një burri si pasojë e zjarreve në komunën e Malishevës.

Sipas Policisë, rreth orës 02:30 të datës 3 gusht janë njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Malishevë se është sjellë një person (viti i lindjes 1957) pa shenja jete nga familjarët.

Në raportin e Policisë potencohet se, sipas deklaratave të familjarëve, dyshohet se viktima diku rreth orës 01:00 pas mesnate më datë  (03.08.2021) ishte zgjuar dhe kishte shkuar tek stalla e tij e cila ishte përfshirë nga zjarri, më 02.08.2021, që të sigurohej nëse zjarri ishte shuar plotësisht apo nëse është riaktivizuar.

Familjarët e kishin gjetur viktimën rreth një orë më vonë dhe e kishin dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Sipas Policisë, më 02.08.2021 si pasojë e zjarrit ishte djegur një pjesë e stallës së tij, e cila dyshohet të jetë djegur si pasojë e lidhjeve të shkurtra në rrjet elektrik, shkaku i erërave të forta. Zjarri ishte shuar nga zjarrfikësit në të njëjtën mbrëmje rreth orës 19:00, pra më datë 02.08.2021.

Pas konsultimeve me Prokurorin e Shtetit, rasti është kualifikuar si ‘hetim i vdekjes’, për çka janë angazhuar hetuesit e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë.