Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kushtrimi kundër flakëve gllabëruese në Suharekë

Kushtrim Zyrapi dhe Leotrim Bylykbashi janë zjarrfikësit e vetëm që sot po përballeshin me flakët e zjarrit që kanë përfshirë një zonë të gjerë arash e malesh mes fshatrave Reqan e Bukosh të Suharekës.

Kushtrimi e Leotrimi e kanë në shfrytëzim vetëm një kamion-cisternë.

Porsa e harxhojnë, ata nisen drejt Suharekës për ta mbushur dhe për t’u kthyer në fshatrat e rrezikuara nga zjarri që po përhapet me shpejtësi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gjatë kthimit, rrugës ata ndalen për të fikur një vatër të re zjarri, i cili nëse do të kalonte rrugën, rrezikonte të shkonte në zona ku vështirë se mund të intervenohet.

Sot është dita e dytë e zjarreve të mëdha me të cilat po përballen vendbanimet e Suharekës.

Zjarri i madh dhe numri i vogël i zjarrfikësve ka bërë që në disa raste situata të ishte vështirë e menaxhueshme.

Kjo është arsyeja pse kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, po apelon në vazhdimësi t’u dilet në ndihmë Kushtrimit, Leotrimit dhe pak kolegëve të tyre në këto ditë të vështira.

Muharremaj ankohet për numër të vogël të zjarrfikësve në këtë komunë.

Ai thotë se viteve të kaluara Komuna ka angazhuar zjarrfikës me kontratë mbi vepër gjatë muajve të verës.

“Kemi pasur më herët me kontratë mbi vepër që kemi marrë çdo herë nga 10 në sezonin e verës. Ketë vit nuk na kanë mundësuar dhe nuk kemi mundësi me marrë njerëz, sepse nuk kemi qysh t’i paguajmë”, tha Muharremaj.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sipas tij, zjarrfikësit kanë arritur të lokalizojnë zjarrin ndërsa atyre në ndihmë u kanë ardhur edhe zjarrfikës nga komuna të tjera.

Muharremaj për KALLXO.com tregoi që dje kanë qenë të rrezikuar edhe disa familje.

“Dje kanë qenë të rrezikuar disa familje në fshatin Studenqan. Ka qenë e rrezikuar Zona Industriale, por kanë arritur me shpëtu”, shtoi ai.

Ndërsa Gzim Kabashi nga shoqata e gjuetarëve “Theranda” në Suharekë tha se 17 anëtarë të kësaj shoqate janë duke ndihmuar zjarrfikësit në luftën kundër zjarreve.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Jemi këtu me 17 anëtarë të shoqatës, ku të tjerët janë të shpërndarë në vende tjera. Po mundohemi të ndalim zjarrin me ato mjete që na ofrojnë zjarrfikësit”, tha Kabashi.

Nga mesi i ditës së të hënës, zjarri filloi të përhapej edhe më shumë afër shtëpive ndërsa qytetarët me kova uji e mjete tjera rrethanore ishin ata të cilët mundoheshin të ndalnin atë.