Dugolli: Kritika e QUINT-it ka qenë e ashpër, por kryeministri ka obligime kushtetuese dhe ligjore

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se kritika e vendeve të QUINT-it rreth vendimit të Qeverisë së Kosovës për moslejimin e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës ka qenë e ashpër.

“Qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës, po duan që të ndërprejnë një praktikë të gabuar, e cila për mendimin tonë nuk ka qenë e drejtë pasi nuk jemi trajtu si shtet”, ka thënë Dugolli duke shtuar se “kritika nga shtetet e QUINT-it ka qenë goxha e ashpër”.

Tutje Dugolli ka thënë se ndonëse është marrë kjo kritikë nga këto shtete që e kanë njohur Kosovën, e kanë ndihmuar të çlirohet dhe e kanë ndihmuar në shtetndërtim, prapë kryeministri i vendit ka disa obligime ligjore dhe kushtetuese që duhet t’i ndjekë.

“Para së gjithash kryeministri ka obligime kushtetuese ligjore dhe tash vjen në një situatë që të shkelësh ligjin dhe kushtetutën apo të marrësh një kritikë nga vetë këto shtete”, ka thënë deputeti i LVV-së.

Dugolli ka vlerësuar se ky vendim nuk ua ka mohuar të drejtën qytetarëve serbë që të votojnë dhe se qëllimi i vetëm është që Kosova të respektohet si shtet.

“Në asnjë mënyrë Qeveria e Kosovës nuk ua ka mohu të drejtën qytetarëve serbë që të votojnë, sepse është e garantuar me Kushtetutë. Krejt çka po kërkojmë është që të respektohemi si shtet që është i njohur ndërkombëtarisht dhe është i pranuar nga më shumë se 100 shtete”, është shprehur Dugolli.

Kujtojmë se më 23 mars ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Gjermani dhe Itali përmes një deklarate të përbashkët kanë thënë se Kosova duhet të krijojë kushte që qytetarët e Serbisë të votojnë në zgjedhjet e 3 prillit në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Sipas deklaratës së lëshuar, shtetet e QUINT-it kanë shprehur keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë gjetur marrëveshje për të garantuar të drejtën e votës për qytetarët serbë në zgjedhjet e 3 prillit.

Për më tepër, në reagim thuhet se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve është në kundërshtim me vlerat dhe parimet e shteteve të QUINT-it.

Më 3 prill 2022, Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare për të cilat zyrtarët e lartë serbë kërkuan që ato të organizohen edhe brenda territorit të Kosovës.

Kërkesa e tyre ra në vesh të shurdhër pasi me këtë nuk u pajtuan krerët e institucioneve kosovare. Kryeministri, Albin Kurti, tha se për këtë duhet të ketë një marrëveshje mes dy vendeve.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian njoftoi se shteti i Kosovës ka refuzuar një propozim të vendeve të QUINT-it.

Para zgjedhjeve në Serbi, presidenti Vuçiq ka thirrur një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Pesë eprorë të Policisë së Kosovës në veri të vendit, janë parë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se ka marrë informacionet dhe është njoftuar zyrtarisht për pjesëmarrjen e eprorëve të Policisë së Kosovës në pjesën e veriut të vendit në takimin të cilin e thirri presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.