Drejtori i Radio Kosovës reagon pas pretendimeve të gazetares se ai dha urdhër t'i merren kompjuteri dhe gjësendet personale e profesionale

Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka reaguar pasi gazetarja Behare Bajraktari pretendoi se ai kishte urdhëruar që asaj t’i merreshin nga zyra kompjuteri dhe i punës dhe gjësendet e tjera personale e profesionale.

Gazetarja thotë se nuk e di se ku i kanë lënë këto gjësende dhe se rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

Në një reagim në profilin e tij në “Facebook”, drejtori Arsim Halili ka thënë se më 16 nëntor gazetarja Behare Bajraktari me kërkesë të njësisë programore RTK-TV dhe me dakordimin e saj është njoftuar për sistemimin e ri dhe transferimin nga objekti i Radios në atë të TV.

“Bashkangjitur keni njoftimin që e kishte pranuar nga Administrata dhe Burimet Njerëzore duke i ofruar edhe ndihmë logjistike në bartjen e paisjeve të punës” – tha Halili.

Ai tutje shtoi se përkundër njoftimit, e punësuara nuk e ka zbatuar vendimin dhe e ka mbajtur të bllokuar ish-zyrën e saj.

Halili tha se zyra është e nevojshme për sistemimin e burimeve njerëzore të radios nga zyret që janë të mbingarkuara me staf.

Tutje ai shtoi se të tjerat janë trillime.

Në postimin e saj, gazetarja pretendoi se Halili edhe gjatë muajit gusht e ka kërcënuar atë. Bajraktari tha se drejtori i është drejtuar me “Ti e din çka jam në gjendje me bë”.

“Pastaj me kërcënimin që do ta ndali emisionin dhe me datë 20 tetor 2023 e ndali emisionin tim përgjithmonë në Radio ku kam kontribuar me mbi 5 mijë emisione prej vitit 2005, pa përmendur qindra intervista, reportazhe, lajme, kronika e të tjera” – tha Bajraktari.

Tutje ajo shtoi se ka mbetur pa emision në radio, pa emision në televizion, pa zyre, pa kompjuter dhe pa sendet e saja personale, duke shtuar se ka kontratë të përhershme me RTK.

“Që prej se punoj në RTK ky është një prej terroreve më të mëdha ndaj meje si gazetare, duke më kërcënuar dhe shantazhuar në këtë formë dhe formave të tjera” – tha gazetarja.

Gazetarja e Radio Kosovës pretendon se drejtori Arsim Halili dha urdhër që t’i merren kompjuteri dhe gjësendet e saja