Gazetarja e Radio Kosovës pretendon se drejtori Arsim Halili dha urdhër që t’i merren kompjuteri dhe gjësendet e saja

Gazetarja Behare Bajraktari përmes një postimi në “Facebook” ka pretenduar se drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka dhënë urdhër që t’i merren asaj nga zyra kompjuteri i punës dhe gjësendet e tjera personale e profesionale.

Ajo ka thënë se nuk e di se ku i kanë lënë këto gjësende dhe se rastin e ka denoncuar edhe në Polici.

“Përmes këtij komunikimi publik dua të bëjë edhe një denoncim si dhe ta ndaj me ju terrorin që është duke ma bërë drejtori i RTK- Radio Kosovës Arsim Halili” – tha Bajraktari.

“Sot pa autorizim, pa paralajmërim dhe pa asnjë vendim zyrtar dhe institucional me urdhër të tij ma kanë marrë nga zyra kompjuterin e punës, m’i kanë marrë të gjitha sendet e mia personale dhe profesionale të cilat i kam pas në tavolinën time të punës për rreth 19 vite, dhe i kanë marrë të gjitha sendet e mia personale, profesionale dhe private nga rafti i zyrës të cilat i posedoj prej vitit 2005. Sendet e mia personale dhe profesionale i kanë marrë dhe nuk e di as ku m’i kanë lënë” – shtoi tutje ajo.

Gazetarja pretendoi se Halili edhe gjatë muajit gusht e ka kërcënuar atë.

Bajraktari tha se drejtori i është drejtuar me fjalët: “Ti e din çka jam në gjendje me bë”.

“Pastaj me kërcënimin që do ta ndali emisionin dhe me datë 20 tetor 2023 e ndali emisionin tim përgjithmonë në Radio ku kam kontribuar me mbi 5 mijë emisione prej vitit 2005, pa përmendur qindra intervista, reportazhe, lajme, kronika e të tjera” – tha Bajraktari.

Tutje ajo shtoi se ka mbetur pa emision në radio, pa emision në televizion, pa zyrë, pa kompjuter dhe pa sendet e saja personale, duke shtuar se ka kontratë të përhershme me RTK.

“Që prej se punoj në RTK ky është një prej terroreve më të mëdha ndaj meje si gazetare, duke më kërcënuar dhe shantazhuar në këtë formë dhe formave të tjera” – tha gazetarja.