Protesta kundër festivalit "DokuFest" në Prizren, 11 gusht 2023 Foto: KALLXO.com

Dosja rreth të dyshuarit për sulmin ndaj gazetarit në protestën kundër festivalit ‘DokuFest’

Më 11 gusht, një person është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar ekipin e portalit “Gazeta Nacionale” gjatë protestës kudër festivalit të filmit të shkurtë “DokuFest”.

Sipas Prokurorisë, sulmi ka ndodhur në sheshin “Shatërvan”, afër xhamisë “Sinan Pasha”.

Protesta e thirrur në Prizren u organizua kundër festivalit me thirrje “kundër degjenerimit”, pas performancës së mbajtur në përkrahje të komunitetit transgjinor.

Gjatë protestës u sulmua edhe një ekip i gazetarëve i “Gazetës Nacionale”.

KALLXO.com ka siguruar pamje kur një protestues tenton t’i pengojë gazetarët që po raportonin nga protesta.

Dosja thotë se në momentin kur i dëmtuari, gazetari Vullnet Krasniqi, merr në pyetje protestuesit, afrohet tek i pandehuri dhe e pyet me fjalët: “A pajtoheni me atë çka foli hoxha për ‘DokuFest’?”, i pandehuri i drejtohet me fjalët: “Çka pajtohem me ty, me pedofil” dhe me atë rast e shtyen me dorë gazetarin.

Tutje thuhet se gazetari vazhdon t’i intervistojë protestuesit e tjerë dhe më pas has në rezistencë dhe persona të paidentifikuar e sulmojnë fizikisht gazetarin, me të cilat veprime tek i dëmtuari shkaktojnë shqetësim.

I dyshuari është arrestuar në ditën kritike, ndërkaq, në seancën dëgjimore të mbajtur në Gjykatën e Prizrenit, më 12 gusht, ai e ka pranuar se ka pasur veprim shtyrës në drejtim të të dëmtuarit.

Emira Gavazaj-Gashi, mbrojtëse e të pandehurit A.K., ka deklaruar se pas sqarimit se çfarë nënkupton vepra e sulmit, i pandehuri pranon se ka pasur veprim shtyrës në drejtim të të dëmtuarit.

“I njëjti nuk e mohon, respektivisht e pranon dhe ndien keqardhje për veprimin e ndërmarrë, duke specifikuar se ai veprim ka qenë instinktivisht dhe reagim emocional e aspak përgatitor apo me motiv të sulmit ndaj gazetarit kështu që në këtë seancë i njëjti e pranon veprimin dhe kërkon falje edhe publikisht”-thuhet mes tjerash në proces verbalin e seancës dëgjimore.

Avokatja Gavazaj-Gashi ka kundërshtuar kërkesën për caktimin e paraburgimit pasi, sipas saj, nuk ka kushte ligjore.

Lidhur me këtë, gjykatësja e çështjes Vjollca Buzhala ka aprovuar kërkesën e prokurores Mehreme Hoxha për caktimin e paraburgimit.

I pandehuri A.K. do të qëndrojë në paraburgim deri më 11 shtator.

Sipas Prokurorisë A.K. më 11 gusht 2023, rreth orës 14:00, në Prizren, dyshohet se me dashje e ka sulmuar të dëmtuarin Vullnet Krasniqin (gazetar), në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari gjatë kryerjes së detyrës së tij merr në intervistë të pandehurin, ky i fundit A.K. e shtyen me dorë duke e sulmuar.

Tutje thuhet se gazetari ka vazhduar t’i intervistojë protestuesit e tjerë të pranishëm dhe ka hasur në rezistencë të të pranishmëve, me ç’rast edhe persona të tjerë e kanë sulmuar fizikisht me të cilat veprime tek i njëjti kanë shkaktuar shqetësim.

Sipas Gjykatës, caktimi i paraburgimit për të pandehurin është i nevojshëm, dhe i arsyeshëm për të mos penguar rrjedhën procedurale të hetimit.

Nga të lartcekurat, Gjykata ka ardhur në konstatim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim edhe të parandalimit të përsëritjes së veprës penale.

Raportimet e tjera të KALLXO.com mund t’i lexoni në këtë LINK.