Dosja ndaj pesë të akuzuarve për fajde në Prizren, viktima pagoi 20 mijë euro kamatë

Pesë persona janë akuzuar nga Prokuroria e Prizrenit për fajde. Të njëjtit po dyshohet se kanë dëmtuar viktimën me inicialet E. A. duke e detyruar që t`i paguaj 20 mijë euro në emër të kamatës.

Të dyshuarit sipas dosjes së Prokurorisë kanë dhënë para borxh tek një person tjetër dhe kanë kërkuar kthimin e borxhit me kamatë.

“Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare – personale të të dëmtuarit, E. A., ku njëri nga të pandehurit përdor edhe kanosjen serioze në mënyrë permanente ndaj të dëmtuarit, për ta detyruar këtë të fundit të kryej veprime në dëm të pasurisë së tij. I dëmtuari E.A., detyrohet nga të pandehurit e lartcekur të paguaj borxh në emër të kamatës shumën rreth 20.000 Euro”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Rasti është zbuluar me masa të fshehta, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar përderisa kanë qenë duke marrë para nga i dëmtuari.

Tutje bëhet e ditur se konform dispozitave ligjore në fuqi Prokurori i Shtetit ka propozuar edhe konfiskimin e sendeve të cilat kanë mundësuar kryerjen e veprës dhe janë dobi pasurore nga veprat penale, si: vetura, para të gatshme, kartela të bankës, telefona, USB, kompjuterë, llaptop, akte noteriale, kontrata, CD, DVD, thika, boks të metalit.