Bastisja e shtëpisë luksoze të policit në Prizren, i dyshuar për bixhoz e fajde - VIDEO

Një shtëpi luksoze, dy vetura të parkuara në oborr, mbikëqyrje me kamera të sigurisë, ishte pamja nga shtëpia e zyrtarit policor që punonte në Njësinë e Trafikut në Prizren, e që dyshohet se merrej me fajde e bixhoz.

Në këtë shtëpi mbrëmjen e 10 tetorit 2022, u krye një bastisje që zgjati disa orë ndërsa përveç Inspektoratit Policor të Kosovës, brenda u fut edhe ekipi i Njësisë së Qenve K-9 për të kontrolluar se mos kishte diçka ilegale.

Javë më parë në rajonin e Prizrenit u kryen bastisje të shumta e u arrestuan mbi 10 persona të cilët dyshoheshin se merrnin pjesë në veprimtari ilegale kryesisht me fajde e bixhoz online.

Inspektorati policor i Kosovës dhe zyrtar policor e hetues të cilin vepronin në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren për disa muaj kryen hetime e zbatuan masa të ndryshme të sigurisë për të mbledhur prova dhe dëshmi se grupi i Prizrenit po kryente veprimtari kriminale.

Pamjet që po transmeton KALLXO.com tregojnë edhe për bastisjen e shtëpinë e zyrtarit policor.

I gjithë aksioni kishte nisur në orët e para të mbrëmjes. Zyrtarët policor e inspektorët që bëjnë hetimin e zyrtarëve policor që kryejnë vepra penale, ishin ndarë në grupe të ndryshme dhe bashkë do të kryenin aksionin e gjerë që ishte shtrirë edhe në qytete të tjera përveç Prizrenit.

Polici i dyshuar gjendej në shtëpi në kohën kur nisi aksioni, atij fillimisht i tregohet urdhri për bastisje dhe arsyeja. Ai tashmë po dyshohej si person kryesor i grupit të dyshuar për fajde e bixhoz.

Fillimisht gjatë bastisjes u gjet arma zyrtare, ajo u vu nën kontroll dhe u la në një vend të dukshëm e që më pas do t’i dorëzohej, Drejtorisë së Regjionit të Prizrenit.

Shtëpia luksoze e policit e cila mbikëqyrej edhe nga kamerat e sigurisë, bënë që pjesë të dëshmive mos të mungonte edhe DVR i kamerave i cili u konsifkua.

Gjatë kontrollit të shtëpisë policit iu gjet një sasi e madhe e parave kesh, madje edhe një armë automatike e cila mbahej pa leje.

Mbi 4 mijë euro kesh, një armë e gjatë automatike, DVR, veturat, arma e edhe shtëpia tashmë janë pjesë e procedurës hetimore si prova dhe dëshmi në rastin e dyshimeve për përfshirje në fajde e bixhoz ilegal të zyrtarit policor.

Pas këtyre konfiskimeve, polici tashmë prangoset dhe dërgohet në zyrë të IPK-së për intervistim.

I njëjti nuk kishte pranuar që të deklarohet për veprimtaritë ilegale që dyshohet se ishte përfshirë.