Ilustrim

Aktakuzë dhe priten prova të reja për mësimdhënësin që dyshohet për ngacmim seksual

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj mësimdhënësit për të cilin KALLXO.com kishte raportuar se dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një nxënëse të mitur.

Kjo aktakuzë është ngritur pas më shumë se një muaj nga vendimi i Komisionit disiplinor të Drejtorisë së Arsimit në Prizren të datës 15 gusht, vendim ky që e kishte larguar për 6 muaj mësimdhënësin nga puna, duke i takuar e drejta e kompensimit në pagë prej 50 për qind.

Më datë 19.09.2023 ndaj të pandehurit XX, ka ngritur aktakuzë për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Ngacmimi Seksual” nga neni 183 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 e në lidhje me nenin 77 paragrafi 1 dhe 2 i Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, ka thënë për KALLXO.com Fitore Mehmeti, zyrtare për informim e Prokurorisë në Prizren.

Për këtë aktakuzë Komisioni disiplinor ka thënë për KALLXO.com se janë të informuar që është ngritur, mirëpo nuk është se e kanë siguruar atë.

Ndërsa, lidhur me vendimin e datës 15 gusht Komisioni disiplinor kishte gjetur se në dy klasë mësimdhënësi ka ngacmuar dy nxënëse dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj nxënësve të këtyre klasëve.

Tre ditë pas vendimit të datës 15 gusht, Komisioni i ankesave në Prizren ka pranuar ankesë nga mësimdhënësi, i cili e kishte kundërshtuar këtë vendim.

Ky Komision i ka shqyrtuar të gjitha provat materiale dhe është arsyetuar se për shkak të hetimeve që vazhdojnë në Polici dhe Prokurori, e ka kthyer mbrapsht ankesën e mësimdhënësit si të pabazuar.

Në anën tjetër, më 30 gusht është paraqitur ankesë tjetër, këtë herë është ankuar drejtori i shkollës.

Ankesa e drejtorit të shkollës është pranuar si e bazuar dhe ka bërë që kjo lëndë të rishqyrtohet. Sipas arsyetimit të Komisionit të ankesave, në vendimin e datës 15 gusht Komisioni disiplinor nuk ka vepruar sipas ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik, neni 47.

Referuar ligjit për zyrtarë publik dhe nenit 47, thuhet se “Masat disiplinore, të cilat mund të zbatohen ndaj nëpunësit civil, janë: vërejtje; ndalimi nga 20% deri në 40% e pagës për një periudhë deri në gjashtë muaj; ndalimi i ngritjes në detyrë, duke përfshirë këtu rritjen në shkallën e pagës për një periudhë nga dy deri 5 vjet; largimi nga Shërbimi Civil”.

Si rezultat, Komisioni deri më tani është mbledhur tre herë, në datat 4, 9 dhe 11 tetor.

Deri në këtë muaj, Komisioni disiplinor e kishte trajtuar rastin për dhunë fizike, pasi sipas tyre nuk kanë pasur prova ta trajtojnë si ngacmim seksual dhe për pasojë kanë kërkuar prova të reja nga shkolla deri më 19 tetor.

Rasti është duke u trajtuar si ngacmim seksual dhe dhunë fizike. Në pyetjen se çka do të ndërmarrë Komisioni disiplinor pas këtyre provave, ju njoftojmë se pa i parë provat nuk mund të japim një përgjigje”, kanë theksuar nga Komisioni disiplinor.

Në fund të muajit korrik, KALLXO.com kishte raportuar rreth dyshimeve se një nxënëse e mitur është ngacmuar seksualisht nga një mësimdhënës në Prizren.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 24 prill, ndërsa është raportuar në Polici më 4 maj. Tashmë ka më shumë se 5 muaj që po trajtohet dhe hetohet edhe nga Policia dhe Prokuroria.

Denoncimi i rastit fillimisht ishte bërë në drejtori të shkollës përmes psikologes dhe prindërve të nxënëses.

KALLXO.com kishte kontaktuar me mësimdhënësin e dyshuar dhe ai e kishte mohuar se e ka ngacmuar seksualisht nxënësen, duke e konsideruar këtë si shpifje.