Dosja e Prokurorisë se si të dyshuarit përfituan rreth 200 mijë euro nga xhirollogaritë bankare të hakuara

Nëntë prej dhjetë ‘hakerëve’ të akuzuar për përfitimin e rreth 200 mijë eurove duke falsifikuar çeqet dhe tërhequr para nga bankat janë ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës.

Ata po akuzohen nga Prokuroria për falsifikim të çeqeve dhe pastrim të parave, akuza të cilat i ka ngritur Prokuroria Speciale para 17 vitesh.

Të njëjtit dyshohen se përmes këtyre veprimeve kriminale kanë përfituar rreth 200 mijë euro.

Në seancën e sotme u paraqitën të akuzuarit Driton Konushefvci, Valton Isufi, Shkumbin Kadriu, Valdrin Gërbeshi, Burim Murati, Edmond Gashi, Artan Prebreza, Sadullah Behluli dhe Mimoza Beqiri të cilët akuzohen për krim të organizuar, hyrje në sisteme kompjuterike, lëshim të çeqeve pa mbulesë dhe keqpërdorim të kartelave të bankës si dhe për pastrim të parave.

Prezente ishte edhe dhe Klodiana Roka e cila sipas aktakuzës së prokurorisë ka ndihmuar nē kryerjen e veprave penale dhe krim të organizuar.

Në gjykatore nuk ishte Edmond Gashi. Për të u arsyetua avokati i tij, Granit Maviriqi, i cili deklaroi se i mbrojturi i tij  ndodhet në trajtim mjekësor jashtë vendit dhe nuk do të ketë mundësi të jetë prezent në gjykim edhe për 5 vitet e ardhshme. Lidhur me këtë trupi gjykues me propozim të mbrojtësit e veçoi procedurën për të akuzuarin Gashi.

Sipas dosjes së Prokurorisë, të akuzuarit që nga viti 2005 kanë përfituar dobi pasurore rreth 200 mijë euro përmes falsifikimit të kartelave bankare.

Kjo siç përshkruan Prokuroria në aktakuzë të akuzuarit e kanë bërë përmes kyçjes në sisteme kompjuterike.

Në aktakuzë theksohet se të akuzuarit më pas kishin tërhequr shuma të ndryshme të parave nga xhirollogaritë e personave nga mbarë bota, në emër të bankave Reiffesien dhe ProCredit, të cilat në këtë procedurë mbajnë epitetin e palëve të dëmtuara.

Këto veprime të pandehurit i kanë ndërmarrë në bashkëpunim me disa hakerë të cilët akoma mbeten të panjohur për Prokurorinë.

Të njëjtit siç pretendohet në aktakuzë i kanë pajisur të akuzuarit Driton Konushevci dhe Valton Isufi me pin – kodin e 10,000 xhirollogarive bankare të personave të huaj, me të cilët të akuzuarit kishin arritur të kyçeshin në llogaritë bankare prej të cilave kanë bërë tërheqjet e parave.

Lidhur me këto akuza, në seancën e sotme të pandehurit u deklaruan të pafajshëm para trupit gjykues.

Në vazhdim, palët e procedurës dhanë fjalët hyrëse.

Në fjalë hyrëse, Prokurori i rastit emërtoi provat me të cilat Prokuroria tenton të provojë fajësinë e të akuzuarve, duke përfshirë këtu provat e siguruara gjatë bastisjeve, provat e siguruara nga institucionet financiare si dhe raportet e dëmit të shkaktuar në rastin e përdorimit të kartelave në fjalë.

Përfaqësuesit ligjor të palëve të dëmtuara, bankave ProCredit dhe Reiffesien, respektivisht Edona Selimi dhe Diamant Avdimetaj, e mbështetën fjalën e Prokurorit si dhe deklaruan se i bashkëngjiten ndjekjes penale.

Avokatët e të akuzuarve qëndruan prapa pafajësisë së të mbrojturve të tyre.

Shkodran Malaj, avokat i të akuzuarit Artan Prebreza dhe avokatja Vlora Berisha që përfaqëson të akuzuarin Blerim Cakolli, kërkua hedhjen e aktakuzës për të mbrojturit e tyre.

Vlen të theksohet se sa i përket veprave që u vihen në barrë të akuzuarve, pika 3, 4 dhe 5 të aktakuzës kanë arritur parashkrimin absolut të ndjekjes penale. Konkretisht, është parashkruar ndjekja për armëmbajtje pa leje ndaj Valton Isufit dhe Artan Prebrezës, si dhe vepra për posedim të narkotikeve e cila rëndonte mbi të akuzuarin Driton Konushevci.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 5 qershor 2023.