Jorn Rohde - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Dorëheqja e policëve në veri, reagon edhe ambasadori gjerman
Pas dorëheqjeve të disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
Para tij, gjatë ditës reaguan edhe shefi i misionit EULEX, Giovanni Pietro Barbano e edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Barbano ka deklaruar se po i përcjellin nga afër këto “zhvillime shqetësuese”, e Hovenier u pajtua me shefin e EULEX dhe shtoi se zyrtarët policorë duhet të jenë në gjendje të punojnë pa frikë.
Një mendim të njëjtë si ambasadori amerikan ka edhe ai gjerman.
“Jam plotësisht dakord: një vend multietnik kërkon një polici multietnike. Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës – pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin – duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikësime” – shkroi ambasadori Rohde.
Policët e dorëhequr sot kanë diplomuar në gjeneratën e 58-të, më 14 korrik 2023.
Sipas burimeve të KALLXO.com, zyrtarisht janë konfirmuar 3 dorëheqje, ndërsa 4 janë në procedurë dorëheqjeje.
Ndërsa nga Policia nuk kanë dhënë ende një konfirmim zyrtar në lidhje me këtë çështje.
Policisë së Kosovës muajin e kaluar iu shtuan edhe 490 pjesëtarë të rinj, të të gjitha komuniteteve.
Rekrutimi i policëve të rinj erdhi pas qindra dorëheqjeve të policëve në katër komunat në veri të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Dorëheqje të disa policëve serbë, reagon shefi i EULEX dhe ambasadori amerikan