Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe, çka do të ndodhë në Parlament?

Dhjetë deputetët e Listës Serbe (LS) sot zyrtarisht i kanë dorëzuar dorëheqjet në Kuvendin e Kosovës.

Kjo pasi në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor, të ftuar nga LS, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Dorëheqja e deputetëve të LS-së, që po cilësohet si një ndër më të mëdhatë në Parlament,  ka ngjallur diskutime se si do të ndikojë e gjithë kjo në punën e Kuvendit.

Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka mohuar se dorëheqja e deputetëve të LS-së paraqet rrezikim të rendit kushtetues në Kuvend.

“Mendoj se krejt çka ka ndodhur është kuantitivisht një dorëheqje më e madhe sepse kësi dorëheqje nuk kemi pasur kurrë në Kuvend. Në aspektin procedural ligjor dhe kushtetues është e njëjta procedurë e ndërrimt siç ndodh edhe me deputetët tjerë kur për shkaqe të ndryshme nuk dëshirojnë me vullnetin e tyre të jenë pjesë e Parlamentit”- tha Konjufca sot para mediave.

Konjufca deklaroi se për zëvendësimin e deputetëve do t’i drejtohet presidentes e cila më pas do t’i referohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Do t’i drejtohem presidentes, presidentja KQZ-së dhe KQZ-ja pastaj që ashtu qysh unë kam njohuri të procedurave se çka është kushtetuese dhe ligjore që KQZ-ja të përgjigjet është që të ia japë atyre që janë pritje, që janë në rend sipas numrit të votave, në grupin e njëjtë parlamentar deputetët e nëse ata refuzojnë të përgjigjen pastaj janë procedura të mëtutjeshme që duhet të na sqarojë KQZ”- ka thënë Konjufca.

Kryeparlamentari ritheksoi se nuk ka krizë kushtetuese pas dorëheqjes së deputetëve të LS-së.

“Nuk jemi në krizë kushtetuese pas kësaj dorëheqje, ne jemi në procedura normale të zëvendësimit të tyre”- argumentoi Konjufca.

Konjufca sot ka proceduar kërkesën për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Sa i përket veprimeve të deputetëve të LS-së, njohësit e punës parlamentare shpjegojnë se çka do të ndodhë pas dorëheqjes.

Eugen Cakolli, hulumtues nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se për zëvendësimin e deputetëve, Kushtetuta dhe ligji janë të qartë.

Sipas tij, që nga formalizmi i dorëheqjeve, kryetari i Kuvendit duhet që menjëherë të iniciojë procedurat për zëvendësimin e tyre duke ia bërë fillimisht të ditur vakantin e ulëseve presidentes së vendit, e cila më pas duhet të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të bëjë zëvendësimin e kandidatëve me kandidatë të tjerë.

“Në këtë situatë, çështja është paksa më e komplikuar për shkak se në bazë të ligjit, deputetët duhet të zëvendësohen nga deputetët e tjerë në radhë të po atij subjekti politik. LS ka pasur 20 kandidatë në zgjedhjet e fundit, prej të cilëve 10 kanë fituar këtë mandat dhe pas konfirmimit për dënimin e deputetit Ivan Todosijeviq, i njëjti është zëvendësuar. Aktualisht LS ka në listën e saj vetëm edhe nëntë kandidatë të cilët janë të ligjshëm për të fituar mandatin e ri”- shpjegon Cakolli për KALLXO.com.

Cakolli thotë se një deputet tjetër do të zëvendësohet nga radhët e partisë tjetër serbe GI SPO, që ka numrin më të madh të votave pas LS-së.

Ndërkaq, Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci Plus (D+), thotë se dorëheqjet e deputetëve janë të pakthyeshme, pasi sipas tij nuk ka të bëjë me bojkotim të punës së Kuvendit por me dorëheqje të parevokueshme, që nënkupton përfundim të mandatit.

“Pas dorëheqjeve të deputetëve të Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës, kryetari i Kuvendit duhet që t’i bëjë kërkesë me shkrim presidentes për të plotësuar ulëset e zbrazëta. Në këtë kërkesë duhet të jipen edhe shpjegimet pse janë liruar këto ulëse. Pas pranimit të kërkesës, presidentja duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personave të tjerë që i zëvendësojnë deputetët e dorëhequr. KQZ duhet që në afatin prej pesë ditësh të punës nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë presidentes emrat e radhës”- është prononcuar Krasniqi për KALLXO.com.

Më tej, Cakolli thotë se mbetet të shihet nëse deputetët e tjerë të LS-së do të pranojnë mandatin, në të kundërtën, sipas tij, mosdhënia e betimit brenda tri seancave përbën arsye për humbjen e mandatit.

“Pas dhënies së mandatit, të njëjtit janë të obliguar që të japin betimin në Kuvend. Mosdhënia e betimit nga ana e deputetëve brenda tri seancave të rregullta pas konfirmimit të mandatit, përbën arsye për përfundimin e mandatit të atyre deputetëve. Kësisoj mbetet të shihet nëse deputetët tjerë të LS do të pranojnë mandatin apo thjesht nuk do të vijnë në Kuvend të japin betimin”- është shprehur ai.

Nëse japin sërish dorëheqje, Cakolli thotë se vendi mund të futet në një krizë në kuptimin kushtetues.

“Në këtë rast do të duhej të referohen tek Gjykata Kushtetuese për të parë se si mund të veprohet tutje në rastet kur nuk ka më fare subjekte politike të atij komuniteti për të zëvendësuar kandidatët”- sqaron ai.

Për këtë çështje, Krasniqi thotë se në rast se asnjë prej përfaqësuesve të komunitetit serb që kanë garuar në zgjedhje nuk pranojnë mandatet, këto pozita nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

“Rrjedhimisht mbesin të zbrazëta dhe Kuvendit të Kosovës i humbet aftësia e ushtrimit të të gjitha kompetencave, siç është amendamentimi i Kushtetutës. Kurse ligjet me interes vital mund të miratohen apo ndryshohen, pasi për to përveçse votave të shumicës së deputetëve të Kuvendit që janë të pranishëm dhe që votojnë, kërkohen vetëm votat e shumicës së deputetëve  që janë të pranishëm dhe që votojnë, të cilët mbajnë vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë”- tha mes tjerash Krasniqi.

Në anën tjetër, duke u bazuar në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës bëhet i pavlefshëm nëse jep dorëheqje.

Në një konferencë për media, kreu i ekzekutivit, Albin Kurti sot u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos bojkotojnë institucionet e vendit pas zhvillimeve në veri.

Kurti theksoi se institucionet janë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës sepse ato janë shërbime publike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët”- tha ai.

Serbët braktisin institucionet e Republikës së Kosovës

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucional të serbëve të mbajtur  në Zveçan, njoftoi për bojkotimin e institucioneve të Kosovës duke treguar edhe vendimet që ishin marrë në këtë mbledhje.

Rakiq ka thënë se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Prishtina të fillojë të respektojë marrëveshjet dhe ligjin, derisa të tërheqë vendimin për targat dhe të formojë Asociacionin në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura për këtë çështje në kuadër të Dialogut dhe në bazë të punës së Ekipit Menaxhues për hartimin e Statutit të Bashkësisë së Komunave Serbe.

Sipas Rakiq, Prishtina në mënyrë konstante shkel të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet e Brukselit.

Ai ka thënë se populli serb në Kosovë është sistematikisht duke vuajtur terror të pandalshëm dhe dhunues nga institucionet e Prishtinës dhe në mënyrë të paligjshme dhe të njëanshme.

Pas një fjalimi të gjatë, Rakiq njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij e ministrit në qeverinë Kurti.

Reagimet pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës i ka quajtur veprime të Serbisë që për synim kanë destabilizimin e veriut të Kosovës.

“Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Osmani u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

Kryeministri Albin Kurti reagoi duke thënë se Beogradi ka nisur kërcënimet dhe përgatitjet për destabilizimin e Kosovës.

Kurti nuk ka folur saktësisht për vendimin e fundit të zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri, për t’u dorëhequr nga detyra, por ka kërkuar nga të gjithë qytetarët serbe që të ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë, duke thënë se ai nuk është kreministër kundër tyre.

Në anën tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me vendimin e tyre për bojkotim të institucioneve, janë duke mbrojtur të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjen e Brukselit.

Të shtunën edhe zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, pasi Lista Serbe ka njoftuar se janë larguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Geoana tha se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin, teksa shtoi se KFOR’i është i gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

Krahas kësaj, edhe përfaqësuesi i Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak reagoi duke thënë se është plotësisht dakord me zëvendëssekretarin e NATO-s, Mircea Geoana, lidhur me deklarimin e këtij të fundit se Kosova dhe Serbia duhet të parandalojnë përshkallëzimin e situatës.

Kurse, Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës ta shtyjë afatin për regjistrim të targave nga ato ilegale serbe në RKS dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.

Po ashtu bën thirrje që Kosova ta nisë menjëherë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Ndërkaq serbëve të Kosovës, BE u ka kërkuar të kthehen në institucione.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës” – ka thënë ai.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale” – thuhet tutje në deklaratën e Borrell.

Ai shton se EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë mbështetjen për të mbajtur një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime.

Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese.

Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.