Kurti: Kosova nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të mos bojkotojnë institucionet e vendit pas zhvillimeve në veri.

Kurti theksoi se institucionet janë në shërbim të të gjithë qytetarëve.

“Bojkotet nuk janë zgjidhje. Institucionet nuk kanë alternativë. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve serbë, as mos i bojkotoni e as mos i braktisni institucionet e Kosovës sepse ato janë shërbime publike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe serbët”- tha ai.

Kurti tha se Kosovë do të angazhohet për drejtësi dhe nuk do të shantazhohen nga organizimet kriminale.

“Kosova do të angazhohet për drejtësi ligj për kushtetutshmëri për paqe e për siguri dhe nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale nga kushdo qofshin dhe nga kushdo që organizohen ato”- theksoi Kurti.

Situata e krijuar në veri erdhi pas vendimit për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës në veri, Nenad Gjuriq, për refuzim dhe rezistencë për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Si reagim ndaj kësaj, Lista Serbe më 5 nëntor 2022 ftoi takim të jashtëzakonshëm me zyrtarë serbë pjesë e institucioneve të Kosovës.

Pas kësaj mbledhje u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror, lokal e atë gjyqësor.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS, duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Dje, më 6 nëntor, në stacionet policore në zonën e veriut të Kosovës ka pasur vazhdimisht zyrtarë policorë që kanë dorëzuar fletëdorëheqjet e tyre, e ndërsa sot disa nga ta janë parë edhe duke dorëzuar armët e pajisjet e tjera.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Sot, deputetët e Listës Serbe kanë dorëzuar zyrtarisht mandatet.