Borrell: Kosova ta shtyjë vendimin për targa dhe ta themelojë Asociacionin, serbët të kthehen në institucione

Përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në veri, pasi Lista Serbe ka njoftuar se janë larguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, Bashkimi Evropian i bën thirrje Qeverisë së Kosovës ta shtyjë afatin për regjistrim të targave nga ato ilegale serbe në RKS dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM.

Po ashtu bën thirrje që Kosova ta nisë menjëherë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës” – ka thënë ai.

Ndërkaq serbëve të Kosovës, BE u ka kërkuar të kthehen në institucione.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale” – thuhet tutje në deklaratën e Borrell.

Ai tha se është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin.

“Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar” – ka thënë ai.

Ai shton se EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë mbështetjen për të mbajtur një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.

Në një deklaratë për media të shtunën, Bashkimi Evropian ka thënë se “zhvillimet e fundit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik shumë vjet punë dhe arritjesh në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon e më gjerë”.

Ky reagim i BE-së vjen pas zhvillimeve te fundit, ku nga Mitrovica e Veriut, Lista Serbe sot ka njoftuar se janë larguar nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.