Konjufca procedon kërkesën për zëvendësimin e deputetëve të Listës Serbe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka proceduar kërkesën për zëvendësimin e dhjetë deputetëve të dorëhequr të Listës Serbe.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.coom, shefi i kabinetit të kryeparlamentarit, Ilir Kërçeli.

Kjo vjen pasi deputetët e këtij subjekti, sot dorëzuan në Kuvend mandatet e tyre.

Kështu ka bërë të ditur edhe Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media.

“Njoftojmë se 10 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga subjektipolitik parlamentar Lista serbe, kanë dorëzuar dorëheqje të parevokueshme”- është thënë në njoftim.

Konjufca sot para mediave tha se karakteri i dorëheqës së deputetëve është i pa revokueshëm dhe shtoi se do të procedojnë sipas ligjit të Republikës së Kosovës.

“Ligji thotë se ata duhet të zëvendësohen. Unë do t`i drejtohem presidentes së vendit e pastaj procedurat e tjera thonë se presidentja i drejtohet KQZ-së dhe pastaj KQZ-ja i përgjigjet presidentes me propozime të reja të cilat me sa e di unë prapë vijnë nga i njëjti grup parlamentar nga e njëjta listë. Nëse edhe ata refuzojnë, tjerët të cilët janë në radhë procedura përsëritet deri sa t`i plotësojmë vendet e reja në Kuvendin e Kosovës nga pakica serbe”- tha Konjufca.

Deputetët që kanë dorëzuar dorëheqjen janë: Slavko Simic, Adem Hodza, Igor Simic, Miljana Nikolic, Zoran Mojsilovic, Verica Ceranic, Branislav Nikolic, Milos Perovic, Ljubinko Karadzic, Jasmina Dedic dhe Dragana Antonijevic.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshi niveli qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.