Presidentja Osmani i quan veprime të Serbisë zhvillimet e sotme në veri të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendimin për largim të serbëve nga institucionet e Kosovës i ka quajtur veprime të Serbisë që për synim kanë destabilizimin e veriut të Kosovës.

“Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit” – thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës”-ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtar.

Osmani u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

“Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë”-ka thënë Osmani,

Ajo ka shtuar se është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit.

Të shtunën, gjatë ditës (5 nëntor), përmes një konference për media të ftuar nga Lista Serbe, kjo parti njoftoi se është larguar nga institucionet e Kosovës.

Po ashtu, zyrtarë të shumtë të komunitetit serbë, që janë pjesë e Policisë së Kosovës, kanë dorëzuar mjetet e tyre të punës, duke njoftuar largimin nga Policia e Kosovës.

Nga sot të gjithë zyrtarët policorë serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të cilët janë pjesë e Policisë së Kosovës do të dorëzojnë uniformat e tyre, duke shënuar kështu bojkot pas masave të ndërmarra në takimin e sotëm me Listën Serbe.

Në lidhje me armët dhe kartelat policore për të njëjtat nuk u tha se do të dorëzohen, kështu të paktën u pa edhe në takimin e sotëm në të cilin u njoftua dorëheqja, por u hoqën vetëm këmishat e kaltra të Policisë së Kosovës.

Deklarata e plotë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani lidhur me njoftimin për tërheqjen e përfaqësuesve të zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës nga institucionet e Republikës së Kosovës:

Veprimet e sotme të Serbisë, të cilat detyruan përfaqësuesit e zgjedhur dhe të emëruar të serbëve të Kosovës të tërhiqen, qoftë edhe përkohësisht nga pozitat e tyre në institucionet e Republikës së Kosovës, kanë për synim destabilizimin e veriut të vendit.

Tërheqja e ministrave, deputetëve dhe e pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe Policia e Kosovës është akt kundër demokracisë, sundimit të rendit e ligjit. Një veprim i tillë është bërë me presionin e pushtetit në Beograd. Qasja e tillë po u shkakton probleme serioze qytetarëve serb në veri, të cilët po ndihen të rrezikuar nga veprimi i strukturave ilegale, të cilat synojnë destabilizimin.

I siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës se institucionet do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar mbarëvajtjen dhe sigurinë publike në çdo cep të territorit të saj në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtar.

Zbatimi i rendit dhe ligjit nuk përbën kërcënim për asnjë qytetar të Kosovës, pa dallim përkatësie etnike. Por, vendosja e rendit dhe ligjit përbën rrezik për strukturat ilegale të dirigjuara nga Beogradi të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Veprimi i sotëm i Serbisë, paraqet tërheqje të saj të njëanshme nga marrëveshjet e Brukselit për shuarjen e strukturave ilegale të saj në Kosovë. Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste. Megjithatë, Serbia nuk do të arrijë ta ndryshojë karakterin multietnik të institucioneve dhe ta cenojë paqen e sigurinë në Republikën e Kosovës.

Komunikimi dhe bashkëpunimi me serbët e Kosovës do të vazhdojë dhe institucionet e Kosovës do të përkujdesen që secili qytetar i Kosovës në secilën pjesë të territorit të saj të marrë shërbimet e nevojshme nga institucionet pa ndonjë ndërprerje.

I bëjmë thirrje serbëve të Kosovës të mos bien pre e propagandës nga Serbia për interesat e saj destablizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet, si dhe mbetet e pozicionuar qartë në rrugën e saj euroatlantike. Veprimet e institucioneve për barazi të të gjithëve para ligjit janë në përputhje me standardet më të larta dhe vlerat evropiane. E ardhmja e Kosovës është në BE dhe në NATO dhe askush nuk do të mund ta ndalojë këtë rrugë.

Por, është Beogradi ai i cili po tenton destabilizimin dhe i cili mbanë raporte të ngushta me Rusinë dhe është vegël e saj në këtë pjesë të Ballkanit.