(DOKUMENT) Qeveria vendosë kushte për naftëtarët, nuk iu lejon më shumë se 6% fitim

Qeveria e Republikës së Kosovës, ka marrë vendim që të përcaktoj çmimet shitëse maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë të naftës dhe derivateve të naftës.

Në këtë vendim thuhet se me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të ç’rregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Republikën e Kosovës, përcaktohen çmimet shitëse maksimale/marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.

Masat e vendosura janë si në vijim:

1.1. Te shitësit me shumicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 4% të çmimit të shitjes;

1.2. Te shitësit me pakicë vendoset marzha më e lartë tregtare deri në 6% të çmimit të shitjes.

Përmes këtij vendimi, Qeveria e Kosovës ka obliguar të gjitha deponitë dhe pikat shitëse të naftës dhe derivateve të naftës, të mbajnë në çdo kohë në stoqe së paku 5 % të kapaciteteve të tyre deponuese, për qëllime të rezervave emergjente.

Gjithashtu vendimi e obligon Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë respektivisht Inspektorati i Tregut Qendror dhe Lokal, Administrata Tatimore e Kosovës, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe organet e tjera të administratës shtetërore, për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij vendimi.

Ky vendim do të jetë fuqi që nga sot (2 mars) deri më 31 maj të këtij viti.