Doktorët e Pejës gjejnë granatë dorë në xhepin e pacientit

Një pacienti në Spitalin e Pejës i është gjetur granatë dore në xhep të rrobave, kanë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti ka bërë të ditur për KALLXO.com se nuk ka ndodhur diçka tjetër dhe se personi të cilit i është gjetur ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Një pacient që na i kanë sjellë ambulanta e Istogut, gjatë zhveshjes së tij kanë gjetur një granate dore në xhep të rrobave. Nuk ka ndodhur diçka tjetër, personi nuk duket se ka pasur qëllime të tilla pasi është në gjendje të rëndë. Me rastin tani po merret policia” – tha ai.

Rastin për KALLXO.com, e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

Ai tha se ende nuk kanë marrë raport për moshën e personit apo llojin e granatës që është gjetur.

“Po është gjetur një mjet shpërthyes tek një pacient në Spitalin e Pejës, mjeti është tërhequr nga njësiti kompetent. Nuk kemi ende raport për llojin e mjetit që është gjetur apo moshën e personit” – ka thënë Gashi.