Ditari i Gazës

Ditari i Gazës, pjesa 23: Nëse ke ushqim të mjaftueshëm dhe qasje në nevojat bazë, atëherë e gjithë bota është e jotja 

Ziadi, një palestinez 35-vjeçar në Gaza, ëndërron të hajë pasta pule ndërsa njerëzit përleshen për bukë dhe ujë dhe na përkujton se si duhet ta vlerësojmë atë që mund ta marrim si të mirëqenë.

E enjte, 16 nëntor

Ora 8 e mëngjesit. Ëndrra ime është e thjeshtë. Do të doja të ulem në një nga restorantet e mia të preferuara në qytetin e Gazës, duke admiruar detin e bukur blu. Do të porosisja makarona pule me shumë meze dhe një sallatë (e dini, për të qenë të shëndetshëm). Do të doja të jem në shoqërinë e miqve të mi, të flasim për jetën tonë të zakonshme, të ankohemi për punën tonë dhe t’i diskutojmë shfaqjet tona të preferuara televizive. Do të porosisja çokollatë të nxehtë dhe do të befasohesha, si çdo herë, kur të zbuloj sa kalori përmban. Kur miqtë e mi të largohen, unë do të merrja librin tim dhe do të vazhdoja të lexoj. Gjithçka që dua është një ditë e qetë në qytetin e Gazës.

Motra ime po flet me një shoqen e saj duke e përshkruar se sa e keqe është bërë situata në shkollat dhe vendet e tjera ku njerëzit kanë ikur. “Një burrë po gatuante në hyrje të shkollës, ndërsa ujërat e zeza rridhnin pranë tij”- thotë ajo. “Skena dhe aroma më sjellin të vjella”.

Këtyre ditëve, gjithmonë i pyes miqtë e mi se çfarë kanë ngrënë për drekë. Opsionet janë shumë të kufizuara:

“Kishim biskota dhe ujë”. “Kishim patëllxhanë dhe tranguj”.

Për mua nuk ka rëndësi se çfarë kanë ngrënë, përderisa kanë diçka për të ngrënë. Fatkeqësisht, jo të gjithë janë me fat. Disa janë duke fjetur pa futur asgjë në stomak për tërë ditën. Çmimet janë në rritje.

Kur u evakuuam për herë të parë në shtëpinë e familjes së tretë, ata gatuanin diçka të ndryshme çdo ditë. Tani gjërat janë më pak të disponueshme. I vetmi dyqan falafel i  ka mbyllur dyert për shkak se nuk ka mbetur asnjë tub gazi. Kemi ngrënë rregullisht sandviçë me djathë dhe trumzë. Janë të shijshme. Gjyshja e familjes së tretë gatuan çdo dy ditë. Dhe herë pas here qëndroj në radhë dhe marr bukë saje. Nuk mund të jem më mirënjohës se kaq.

Ora 9 e mëngjesit. Çdo mëngjes, mijëra njerëz shfaqen në rrugë duke kërkuar ushqim, ilaçe, batanije, rroba të rënda. Pashë një nënë që i bërtiste djalit të saj të vogël në mes të rrugës. Doli se ai u shpërqendrua dhe ajo e kërkonte për gati një orë.

“Si do të të gjeja nëse humb?”- bërtiste ajo. Gra të tjera po e qetësonin.

Këto ditë dëgjojmë shumë histori për prindërit që i humbin fëmijët e tyre, qoftë duke ikur apo në vende publike. Shumica e njerëzve që evakuohen janë në këto zona të reja për herë të parë, ata mund të kenë kaluar pranë tyre më parë, ose të kenë vizituar, por njohja e zonës është vërtet e vështirë kur shumica e njerëzve e kanë humbur aftësinë e tyre për t’u fokusuar për shkak të frikës, stresit ose mungesës së gjumit.

Mbaj mend që fola me shoqen time që lindi një vajzë muaj më parë. “E di që kjo do të tingëllojë e frikshme, por ju lutem, shkruani në trupin e vajzës suaj të gjitha informacionet e identifikimit në shenjë, për çdo rast”- i thashë. Heshti për një sekondë, pastaj më tha se pajtohet me mua.

E kam dëshmuar disa herë të njëjtën situatë, një grup djemsh dilnin të luanin me top dhe prindërit, zakonisht baballarët, dilnin të zemëruar dhe u thoshin të ktheheshin brenda.

“Nëse ndodh një bombardim tani, çfarë do të ndodhë me ju?! Hyni brenda, menjëherë”.

Jo vetëm prindërit janë të frikësuar, por të gjithë janë të frikësuar për sigurinë e tyre. Shkon të blesh ilaçe dhe nuk je i sigurt nëse do të kthehesh apo jo. Largohesh nga vendi ku ndodhesh dhe mendon nëse do të bombardohet apo jo.

Ora 10 e mëngjesit. Macet po bëjnë mirë. Çdo ditë, unë e çoj Xhekin te veterineri për t’i dhënë injeksionet e nevojshme.

Fatkeqësisht, është e sigurt që Xheki nuk mund të shohë. Megjithatë, jemi mirënjohës që ai është në gjendje të ecë. Dhe tani, ai ka filluar të hajë ushqim pire. Gjithashtu, ka filluar ta njohë kutinë e mbeturinave, herë e bën aty brenda e herë jo. Kemi gjetur disa jastëkë të disponueshëm për t’i vendosur në kuti, në mënyrë që të pastrohen më lehtë. Xheku dëshiron të lëvizë shumë, përdor kokën dhe këmbët për t’u siguruar që asgjë nuk i pengon, madje përpiqet të ngjitet mbi kolltukë, ndonjëherë bie, herë të tjera shkon mirë.

Qyshkur kur humbi, macja jonë e madhe është e shqetësuar. Ajo zgjohet disa herë gjatë prej gjumit dhe fillon të mjaullijë me zë të lartë. I themi asaj që jemi këtu. Me t’i dëgjuar njërin nga zërat tanë, i kthehet gjumit.

Manara ka qenë “kompensues i gjumit” për dy ditët e fundit. Vetëm kur shërbehej ushqimi, ajo zgjohej, qëndronte në radhë, me edukatë, pas maceve të tjera dhe priste radhën e saj. Na jep gjithmonë një vështrim mirënjohës. Ha dhe kthehet në gjumë. Plagët e saj po shërohen dhe nga syri i dëmtuar nuk i del më asnjë gungë.

Macja e vogël është më e çmendura. Kur fle për disa minuta, zgjohem nga bishti i saj që mbulon hundën time, ose sytë e saj të mëdhenj që shikojnë drejtpërdrejt në timin. Ajo ka zhvilluar atë që unë e quaj “pozicioni i besimit të gjumit” – fle në një mënyrë që, nëse bën ndonjë lëvizje, do të bjerë, kështu që ju duhet të qëndrosh ende për një kohë të gjatë për ta mbajtur të sigurt. Nëse lëvizi, qoftë edhe për një centimetër, ajo nis e mërzitet.

Besoj se prania e tyre po na shpërqendron nga shumë ndjenja negative që mund të kishim nëse ato nuk do të kishin qenë këtu bashkë me ne.

Ora 4 pasdite. Të gjithë po luftojnë. Njerëzit po përleshen për ujë, për bukë dhe për asgjë. Niveli i ankthit po e arrin kulmin.

Një shok i motrës sime e thërret atë duke qarë. Ai është me gruan dhe dy fëmijët në shtëpinë e vëllait të tij.

Ai i thotë se gruaja e vëllait të tij po kontrollon gjithçka: çfarë hanë, sa hanë dhe kur mund ta përdorin tualetin. “Është poshtëruese. Ajo provon t’ua kontrollojë frymën që marrim nëse do të mundej. Mirëpo ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Duhet ta tolerojmë atë”.

Ora 6 pasdite. Nuk ka asgjë shpresëdhënëse. Askush nuk di asgjë. Kam shumë miq për të cilët nuk jemi në dijeni nëse janë të sigurt apo jo, apo të gjallë apo të vdekur. Komunikimi është i keq; shumë vende nuk kanë lidhje interneti dhe pasiguria është e lartë.

“Si jeni?”- po bëhet pyetja më e vështirë. Nuk e dimë më si jemi. Nuk jemi të sigurt se si ndihemi. Dhe për t’i shtuar edhe më shumë kripë plagës, të dashurit tanë që ndodhen jashtë shtetit bëjnë pyetje si: “Cila është zgjidhja e gjithë kësaj situate?”.

Dhe ne përgjigjemi: “Vërtet?! E gjithë bota nuk është në gjendje ta zgjidhë këtë situatë dhe ju mendoni se ne e dimë përgjigjen?!”.

Ora 10 pasdite. Kur futesh në dush dhe ndien të ftohtë, duhet ta vlerësosh atë pikën e parë të ujit të nxehtë mbi trupin tuaj.

Kur jeni gati për të ngrënë një vakt ushqimi, shikoni pjatat, jepini vetes kohë për t’i lënë aromat e bukura të ushqimit, admironi atë që keni, shumëllojshmërinë e ngjyrave. Dhe shijen.

Kur jeni në shtëpinë tuaj, përqafojini muret. Po, po, përqafoni muret. Jini mirënjohës që keni një strehë mbi kokën tuaj.

Sepse edhe pse këto detaje janë të vogla, megjithatë për shumë njerëz ato janë një ëndërr. Më besoni, nëse ke ushqim të mjaftueshëm dhe qasje në nevojat bazë dhe një rutinë normale të zakonshme, atëherë e gjithë bota është e jotja./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala