Prishtina, maj, 2023. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

'Dita pa makina' shënohet të premtën në Prishtinë, një rrugë do të mbyllet për vetura

Komuna e Prishtinës ka organizuar për të premtën, 22 shtator, aktivitetin “Dita pa makina”.

“Dita pa makina”, është një ngjarje ndërkombëtare, që për qëllim inkurajimin e qytetarëve që t’i përdorin sa më pak makinat për transport, e në vend të tyre të shfrytëzojnë transportin publik apo biçikletat.

Kryeqyteti ka planifikuar që në shënim të këtij aktiviteti, të premten, nga ora 10:00 deri në 15:00, vetëm rruga “Dëshmorët e Kombit”, do të jetë e mbyllur për qarkullimin e veturave.

“Dëshmorët e Kombit” është në lagjen Ulpiana që i bjen që e mbyllur do të jetë nga Katedralja deri të “Rrethi me Flamur”.

“Ndërsa, ju qytetarë të dashur mund të merrni me qera, pa pagesë, njërën nga 160 biçikletat ose 60 trotinetët për qarkullim nga fillimi i kësaj rruge deri në fund (rrethi i Flamurit). Pavarësisht se çfarë zgjedhje bëni, kujdesuni për mjedisin dhe bëni ndryshime të vogla në jetën tuaj për të ndihmuar në mbrojtjen e planetit tonë”- thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.