Dimal Basha - kryekuvendar, konstituimi i Kuvendit ngec te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb
Me 73 vota për, 30 kundër dhe 8 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën kryetar të Kuvendit të Kosovës në seancën e mbajtur më 26.08.2025.
16:02 – Basha mbyll seancën e Kuvendit për sot, as deputeti Nenad Rashiq nuk merr votat për nënkryetar
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka mbyllur seancën e ditës së sotme.
Ai njoftoi se ajo do të vazhdoj të enjten nga ora 11:00.
Kuvendi nuk arriti të zgjedh nënkryetarin nga komuniteti serb. Deputetja e Listës Serbe, Liljana Stefanoviq ka qenë emri i radhës i tërhequr nga kryetari i Kuvendit të Kosovës si propozim për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Ajo ka refuzuar që të jetë kandidate. Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka kumtuar këtë dhe ka vazhduar me emër tjetër.
Me short për herë të tretë është zgjedhur Verica Çeraniq, por ajo ka refuzuar të jetë kandidate, eliminohet nga gara ka thënë kryetari Basha
As deputeti Nenad Rashiq nuk ka marrë votat për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës. Nga 95 deputetë të pranishëm, 55 për, 1 kundër dhe 17 abstenime. Ai u vendos në votim me short.
15:50 – Nis shorti për propozimin e emrit për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dështon emri i parë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha ka vazhduar me procesin e zgjidhjes me short të propozimit për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
“Meqenëse Lista Serbe po refuzon të jetë te tavolina me short, unë do të vazhdoj administrimin së bashku me një sekretar të Kuvendit dhe një deputet të komunitetit serb, Nenad Rashiq”- tha Basha.
Propozimi i parë i tërhequr nga Basha është deputetja Verica Qeraniq.
Me zero vota për, ka dështuar zgjedhja e saj si nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.
Emri i deputetes Qeraniq është zgjedhur edhe për herë të dytë nga kryetari Basha por përsëri ka dështuar të zgjidhet si nënkryetare me asnjë votë për.
15:30 – Slavko Simiq dështon 3 herë radhazi të zgjidhet nënkryetar, Lista Serbe nuk kandidon deputet tjetër, Kuvendi vendos që kandidati i ri nga Lista Serbe të zgjidhet me short
Propozimi për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb do të bëhet me short.
Lista Serbe refuzoi që të propozojë kandidat tjetër, pos Slavko Simiqit për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Pavarësisht që nuk kaloi 3 herë radhazi dhe nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ju kërkua që të ndërrojnë kandidatin, deputeti Igor Simiq vazhdonte ta propozonte deputetin Slavko Simiq.
Basha duke cituar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetese që nuk lejohet kandidimi i një deputeti më shumë se 3 herë, i kërkonte të ndërronte propozimin.
Në fund u vendosë që propozimi për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitet serb të bëhet me short.
“Lista Serbe po refuzon, propozimi është ezauruar. Vazhdojmë me short. Nuk shkon Kuvendi në pauzë”- tha Basha pas konsultimit.
Për tre herë radhazi, Lista Serbe propozoi Slavko Simiçin, por nuk i mori votat e mjaftueshme.
Votat e vetme pro ishin të Listës Serbe dhe të deputetit nga komuniteti goran, Adem Hoxha.
15:01 – Dështon 3 herë radhazi propozimi i Listës Serbe për kandidatin Slavko Simiq për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit
Njëjtë si herën e dytë, edhe në votimin e tretë, kandidati i Listës Serbe, Slavko Simiq mori numrin e njëjtë të votave, të pamjaftueshme për të zgjedhur nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Për Slavko Simiq kanë votuar pro vetëm deputetët e Listës Serbe dhe deputeti nga komuniteti goran, Adem Hoxha.
14:58 – Dështon për herë të dytë tentimi i LVV-së për zgjedhjen e Slavko Simiq në pozitën e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
“10 vota për, 56 kundër, 21 abstenime”- kumtoi Kryetari Dimal Basha.
14:54 – Deputetët nuk votojnë Slavko Simiç për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës
Me vota 55 kundër, 10 për dhe 23 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të që të zgjedh Slavko Simiçin, të propozuarin e Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës.
Votë për kanë pasur deputetët e Listës Serbe dhe deputeti Adem Hoxha.
14:50 – Emilija Rexhepi zgjidhet nënkryetare e Kuvendit nga komunitetet jo serbe
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në votim ndaras kanë votuar deputeten Emilija Rexhepi për nënkryetare tw Kuvendi të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo serbe.
Me 73 vota për, një kundër dhe 23 abstenime ka kaluar propozimi i deputetit Elbert Krasniqi.
Deputeti, Elbert Krasniqi ka propozuar që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga komunitet e tjera jo serbe të bëhet me rotacion.
Krasniqi poashtu propozoi që votimi për nënkryetarin e Kuvendit nga komunitet e tjera të bëhet ndaras nga ai votimi për nënkryetarin nga komuniteti serb.
“Ne propozojmë që nënkryetari nga komuniteti jo serb të bëhet me rotacion. Ne propozojmë, Emilja Rexhepi, Fidan Jilta dhe deputetin Artan Asllani dhe propozojmë që votimi të bëhet ndaras nga votimi i nënkryetarit nga komuniteti serb”- tha ai.
14:21 – Votohen 3 nënkryetarët e Kuvendit të Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur tre nënkryetaret e Kuvendit të Kosovës.
Në një votim në pako, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë zgjedhur 3 nënkryetarët e Kuvendit nga komuniteti shqiptar me 101 vota për dhe 9 abstenime të Listës Serbe.
Albulena Haxhiu nga LVV, Kujtim Shala nga LDK dhe Vlora Çitaku nga PDK, janë zgjedhur nënkryetarët e Kuvendit.
“Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për nënkryetare të Kuvendit të Kosovës është Albulena Haxhiu”- tha Glauk Konjfuca nga LVV.
“Grupi parlamentar i PDK-së e propozon Vlora Çitakun”- tha Abelard Tahiri i PDK-së.
“LDK propozon Kujtim Shalën”- tha Hykmete Bajrami.
12:45 – Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë e ka uruar homologun e saj
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e ka uruar Dimal Bashën, kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendi të Kosovës.
“Urime e sukses Kryetarit të ri, të sapozgjedhur, të Kuvendit të Kosovës. Përgëzime Kuvendit të Kosovës, për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve. Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit tē Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”- ka shkruar ajo në platformën X.
12:06 – Time Kadrijaj për zgjedhjen e Bashës si kryetar i Kuvendit: Ky ishte ma i miri i Lëvizjes Vetëvendosje
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, ka komentuar zgjedhjen e Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Ky ishte ma i miri i Lëvizjes Vetëvendosje. Ishte zgjedhja e Lëvizjes Vetëvendosje. Meqë është zgjedh prej 48 të tyre, ai është më i miri. Nuk thashë që është i padenjë”- tha Kadrijaj.
Deputetja Kadrijaj foli edhe për mospjesëmarrjen e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj në votimin për Bashën.
“Ndoshta e ka pasur ndonjë telefonatë e pastaj është kthyer. Ne e kemi pasur votën e lirë se kë duam të votojmë”- tha ajo.
Kadrijaj bëri të ditur se AAK do të ketë një takim për të diskutuar për votimin e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
“Ne kemi një takim tash në Aleancë e te shohim kë e votojmë për nënkryetar. Por kjo nuk ka qenë asnjëherë problem”- theksoi ajo.
12:04 – Vlora Çitaku është propozimi i PDK-së për nënkryetare të Kuvendit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasiqi, bëri të ditur se do të propozojnë Vlora Çitakun për nënkryetare të Kuvendit nga radhët e kësaj partie.
“Vlora Çitaku është propozim i jonë për nënkryetare të Kuvendit”- tha Krasniqi.
11:50 – Memli Krasniqi: Sot votuam për të zhbllokuar situatën politike në vend
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se votuan pro deputetit, tashmë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha për të zhbllokuar situatën politike në vend.
Krasniqi tha se vota “pro” është edhe për të treguar qëndrimin besnik të fjalës së dhënë publike.
“Me një situatë normale ky duhej të ishte lajm pozitiv, dhe parimisht është. Shpresoj që të zgjedhën edhe nënkryetarët. Por nuk besoj që as qytetarët e as votuesit e Vetëvendosjes nuk janë të lumtur me këtë zgjedhje. Albin Kurti dhe Vetëvendosja besojnë që më së shumti që Dimal Basha e përfaqëson vendin. Në situatë normale ne nuk do e kishim votuar, por e mbajtëm fjalën dhe votuam. A jemi të lumtur? Nuk besoj që janë as deputetët e Vetëvendosjes. Ia patë fytyrat. Por të paktën tani kemi një kryetar të Kuvendit”- tha Krasniqi.
“Kanë pas mundësi me propozu Glauk Konjufcën, Saranda Bogujevcin, Shqipe Selimin. Të paktën dikë që kolegët nuk qeshin kur flet”- ka shtuar kryetari i PDK-së.
11:47 – Kuvendi në pauzë njëorëshe
Pas fjalimit të parë si kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka caktuar 1 orë pauzë.
Kjo para pikës së rendit të ditës për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
11:44 – Fjalimi i parë i Dimal Bashës si kryetar i Kuvendit të Kosovës
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka mbajtur një fjalë rasti pas votimit të suksesshëm të tij.
“Fillimisht ju falënderoj për besimin tuaj dhe do të marrë momentin për të falënderuar kryesuesin dhe nënkryetaren e seancës. Faleminderit qytetarëve që ma kanë dhënë votën si deputet. Një falënderim i veçantë shkon për Glauk Konjufcën ka udhëhequr këtë institucion për katër vite. Ky institucion është zemra e demokracisë sonë…”- ka thënë ndër tjera Basha.
Kryetari Basha tha se pret bashkëpunim në mes partive dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë shteteve mike të Kosovës. Ju jemi mirënjohës për kontributin tuaj edhe atëherë edhe tash. Në emër të kryetarit të Kuvendit ju bëjë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim. Lufta e Adem Jasharit dhe e të gjithë luftëtareve ishte luftë për mbrojtje të territorit njëjtë si atëherë dhe sot UCK mbetet e shenjtë. Si kryetar i Kuvendit pres të kemi dallime por pres që të bëhemi bashkë aty ku e kërkon interesi kombëtar. Pres debat, dua të shoh kritika por edhe alternativa…”- tha Basha.
—————————————————————————————————————————————–
11:27 – Fundi i ngërçit, Dimal Basha kryetar i Kuvendit të Kosovës
Me 73 vota për, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën kryetar të Kuvendit të Kosovës.
30 deputetë votuar kundër dhe 8 abstenime.
Arben Gashi nga LDK ka abstenuar.
Një pjesë e madhe e deputetëve të grupit parlamentar të PDK-së kanë votuar pro zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar. 11:24- Vetëvendosje propozon sërish Dimal Bashën për kryeparlamentar
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish deputetin e LVV-së, Dimal Basha për kryetar të Kuvendit.
11:10 – Fatmir Limaj: Nisma e merr seriozisht shtetin e Kosovës, pa marrëveshje, nuk votojmë asnjë kandidat
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se partia që ai drejton nuk do të votoj pro asnjë kandidati për kryetar të Kuvendit pa marrëveshje politike.
“Nisma e merr seriozisht shtetin e Kosovës. Nuk bën tallje me shtetin sepse besojmë që sot na duhet urgjent krijimi i institucioneve të Kosovës. Pa marrëveshje politike nuk marrim pjesë në votimin pro të askujt”- tha Limaj para gazetarëve, pak pa nisur seanca.
11:03 – Memli Krasniqi: Kemi drejtuar kërkesë zyrtare te kryesuesi Dehari për takim 10-minutësh më partitë e tjera
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi është deklaruar para mediave para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi tha se kanë drejtuar një kërkesë zyrtare te kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, për takim 10-minutësh për konsultim me partitë e tjera politike.
“E kemi drejtuar një kërkesë zyrtare te kryesuesi i Kuvendit për takim 10-minutësh për konsultim me partitë tjera politike. Njëjtë siç e patëm atë ditë gjatë seancës. Por tash zyrtare.Është e padrejtë të mos të mundësohet një konsultim i tillë, do ishte arbitrare. Kjo është formë me pyet Vetëvendosjen a jeni të sigurt që dëshironi me degradu Kuvendin me një kandidat që nuk është adekuat (për Dimal Bashën)”- tha Krasniqi.
Kryetari Krasniqi tha se emri i Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit të Kosovës nuk është i duhuri.
“Qiteni një njeri tjetër që nuk na bën hor. Emri i Dimal Bashës nuk është i duhuri. Nuk kemi ndërru qëndrim, por ne nuk kemi dashtë më votu pa konsultim. Këndo që nuk ka qenë në ekzekutiv le ta qesin e votojmë. Jam befasu me entuziazmin e kritikëve për të zgjedhur Dimal Bashën”- tha ai.
“Nuk ka ndryshim qëndrimesh. Qëllimi është i përgjegjshëm. Nuk jam i sigurt. Nuk besoj që zotëri Basha është përfaqësuesi më i mirë për të qenë në krye të Kuvendit. Nuk është i duhuri me e udhëheq Kuvendin. Unë po ua them, ne e kishim votu edhe Bashën, por edhe ata e dinë që as ata nuk duhet të jetë ai. LVV ka më të përgjegjshëm”- tha ai.
“Unë që tre muaj që e kam prezentu këtë qëndrim. Unë do të rezervohem që me dhënë emra. Unë kam rezerva për të gjithë veç fakti që janë LVV kam rezervë por janë deputet të Kuvendit të Kosovës. Le ta sjellin dikë që i plotëson të paktën kriteret bazike”- theksoi Krasniqi.
10:55 – Jakup Nura: Më mirë një luan që udhëheq 100 gomarë, se një gomar 100 luanë
Deputeti i PDK-së, Jakup Nura tha se propozimi i Dimal Bashës nga LVV për kryetar të Kuvendit të Kosovës është për të ardhur keq.
Nura tha se emri i Bashës i ka befasuar edhe LVV-në.
“Ma mirë është një luan që udhëheq 100 gomarë, sesa një gomar që udhëheq 100 luanë”- Të jetë Dimal Basha i pari i Kuvendit, është një fyerje për votuesit e VV-së dhe për gjithë qytetarët e Kosovës. Propozimi i VV-së është për të ardhur keq. Ata kanë sjellë një emër që i ka befasuar edhe vetë”- tha Nura.
10:52 – Haradinaj: Ne e kishim preferencë Glauk Konjufcën
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se partia që ai drejton e preferon Glauk Konjufcën si kandidat nga Lëvizja Vetëvendosja për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj tha se AAK ka qëndrimet e saj dhe se nuk do të nxitohen.
“Ne e kishim preferencë Glaukun… Ne i kemi qëndrimet tona, dhe do t’i shqyrtojmë në proces, nuk po nxitohemi. Nëse për Vetëvendosjen, Dimal Basha është kandidati më i mirë, nëse nuk kanë të tjerë dhe ky është niveli i tyre, atëherë edhe ai mund të jetë një mundësi”- tha ai.
Haradinaj nuk kishte qenë prezent në seancën e Kuvendit të Kosovës kur LVV propozoi deputetin Dimal Basha si kandidat për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha kishte votuar pro Bashës.
10:38 – Deputetët e PDK-së mbajnë mbledhje para nisjes së seancës
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës do të mbajnë një mbledhje të grupit parlamentar para se të nis vazhdimi i seancës konstitutive.
Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku tha para gazetarëve se PDK do të mbajë mbledhje të grupit parlamentar para seancës së Kuvendit të Kosovës.
Çitaku nuk ka dha detaje të tjera se çka pritet të diskutohet në këtë takim.
09:51 – Episodi i radhës për konstituimin e Kuvendit
Për të katërtën herë pas aktgjykimit të dytë të Gjykatës Kushtetuese, deputetët do të mblidhen për përpjekjen e radhës për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës pas dështimit të fundit ku tre kandidatë të Vetëvendosjes nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme për Kryetar të Kuvendit.
Edhe pse Kushtetuesja i urdhëron deputetët që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh dhe afati ka nisur të rrjedh prej 18.08.2025, atë ditë që u publikua aktgjykimi, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje politike ose zgjidhje tjetër.
Në vazhdimin e seancës së kaluar më 24.08.2025, Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese ka propozuar ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati; ministren në detyrë të Arsimit, Arbërie Nagavci; dhe, deputetin Dimal Basha. Asnjëri prej tyre nuk mori votat e mjaftueshme. Ndryshe prej rasteve tjera, Basha mori votat e dy deputetëve të ish-opozitës, të Arben Gashit (LDK) dhe Bekë Berishës (AAK), kurse PDK-ja abstenoi.
Deri më tani, përveç emrave të lartshënuar, Vetëvendosje ka propozuar edhe ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministren në detyrë të Punëe të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz.
Ish-partitë opozitare kanë deklaruar në vazhdimësi që nuk e votojnë asnjë prej personave që kanë qenë pjesë e kabinetit qeveritar.
Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses i publikuar më 18.08.2025, urdhëron që partia e parë nuk mund të propozojë më shumë se tre herë të njëjtin person për Kryeparlamentar.
Vazhdimet e seancave prej të 38-tës deri në të 54-tën para aktgjykimit të fundit, janë shpallur të pavlefshme nga Kushtetuesja, pra nga 27 qershori deri më 26.07.2025.
Që seanca të fillojë në pikën e tretë të rendit të ditës dhe të respektohet me përpikëri përmbajtja e vetme e seancës konstituive e përpiluar nga kryetari i legjislaturës së kaluar së bashku me kryetarët e subjekteve politike, ishte një nga urdhrat e Kushtetueses.
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se mbajtën qëndrimin e tyre, që nuk e votojnë askënd të Vetëvendosjes. Mustafa komentoi edhe votën pro të Arben Gashit për Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit.
“Ndryshe prej tjerëve, në LDK vota është demokratike…”- për votën pro të Arben Gashit.“Ne me LVV nuk kemi marrëveshje politike. Në mungesë të marrëveshjes, ne nuk kemi pse të marrim pjesë në një takim të tillë, madje të thirrur nga një palë e tretë, në këtë rast PDK. Nuk kemi pse të marrim pjesë në këto takime”- tha ai në pyetjen se a do të merrnin pjesë në takimin konsultues që e përmendi PDK” – u shpreh Mustafa.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, pas përfundimit të seancës, deklaroi se kur u propozua emri i Dimal Bashës, deputeti Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10-minutëshe, por sipas tij, kjo nuk u aprovua.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar të gjej zgjidhje, por vetëm të bllokoj. Doli Hekuran Murati e propozoi kolegen e saj, Arbërie Nagavci, gjë që është e paligjshme e jo kushtetuese. Kur u propozua emri i Dimal Bashës, deputeti jonë Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10 minutëshe, edhe përmes Sala Jasharit por nuk na u aprovua. Nuk mundemi veç me çu dorën por duhet një pauzë. Nuk e kam borxh që unë t’i votoj. Nëse 10 minuta nuk na i jepin, është disrespekt ndaj votës së qytetarit. Herën tjetër nëse edhe Dimal Bashën, duhet me dhanë një pauzë 10-minutëshe” – deklaroi Krasniqi.
“Nëse dojnë me ecë përpara, le te propozojnë sërish Dimalin. Është si me lu lloto (propozimi për Dimalin). Cili numër po ju del. Me ba Arbërie Nagavci hajgare. Po një minimum një 10 minutësh. Kush e di ndoshta do e kishim tash Dimalin Kryetar”- shtoi ai.
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se sot përfundimisht “ju hoq peta laknorit” duke u dëshmuar, sipas tij, se opozita po e mban Kuvendin të bllokuar.
“E patë përfundimisht, qysh thotë populli “ju hoq peta lakrorit”, që opozita po e bllokon vendin. Ne ndryshuam kandidatin. Na thanë ndërrone se jo ministër nuk votojmë. E ndërruam e vendosëm deputetin (Dimal Bashën). E patë sot që ka deputet nga opozita, që me votim të fshehtë do të votonin pro” – tha Murati.
“Konsultime kemi pas. U kemi kërku PDK-së me votu Albulena Haxhiun. Na kanë thanë Albulena Haxhiun e as ministrat, vetëm deputetët. Këtu kemi të bëjmë me makinacione që ta mbajnë Kuvendin e bllokuar”- tha ai kur u pyet se pse nuk u dhanë 10 minuta pauzë të kërkuara nga PDK.
Kërkesat në Kushtetuese, që si rrjedhojë pasoi aktgjykimi, ishin dërguar ndarasi në Kushtetuese me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar propozimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.
Pas publikimit të aktgjykimit të plotë, partitë e opozitës së legjislaturës së tetë u shprehën të lumtura me rezultatin e kërkesave të tyre në Kushtetuese kurse Lëvizja Vetëvendosje që doli e para edhe në këto zgjedhje, ka shprehur pakënaqësitë e saj.
Deputetët për herë të fundit, para seancës së 20.08.2025 (seanca e parë pas aktgjykimit të dytë), ishin mbledhur më 26.07.2025, dy herë brenda ditës pasi që atë ditë ka qenë afati i fundit nga Kushtetuesja nga aktgjykimi i 26 qershorit.
Ndërkohë, Kosova tashmë ka më shumë se gjysmë viti pa institucione të reja, pasi seanca konstituive që ka nisur që më 15.04.2025, por ende nuk ka përfunduar me një zgjidhje.
Seanca e fundit e legjislaturës së tetë është mbajtur mbajt me 05.12.2024.
Nga Zgjedhjet e 09.02.2025 fitues doli Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%, PDK e dyta me 20.95%, LDK e treta 18.27%, AAK-Nisma me 7.06%.