Kuvendi i Kosovës. Foto:KALLXO.com

Dështojnë tri propozimet e LVV-së për kryetar të Kuvendit

12:27 – Bekë Berisha votoi pro Dimal Bashës, tregon arsyen 

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, i vetmi nga partia e tij votoi pro emri të Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit.

“Dimal Basha nuk ka pasur asnjë detyrë qeveritare” – tha ai para mediave pas përfundimit të seancës.

12:20 – Murati: E patë sot përfundimisht, opozita po e mbanë të bllokuar Kuvendin

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka thënë se sot përfundimisht “ju hoq peta laknorit” duke u dëshmuar, sipas tij, se opozita po e mban Kuvendin të bllokuar.

“E patë sot përfundimisht, qysh thotë populli “ju hoq peta lakrorit”, që opozita po e bllokon vendin. Ne ndryshuam kandidatin. Na thanë ndërrone se jo ministër nuk votojmë. E ndërruam e vendosëm deputetin (Dimal Bashën). E patë sot që ka deputet nga opozita, që me votim të fshehtë do të votonin pro” – tha Murati.

“Konsultime kemi pas. U kemi kërku PDK-së me votu Albulena Haxhiun. Na kanë thanë Albulena Haxhiun e as ministrat, vetëm deputetët. Këtu kemi të bëjmë me makinacione që ta mbajnë Kuvendin e bllokuar”- tha ai kur u pyet se pse nuk u dhanë 10 minuta pauzë të kërkuara nga PDK.

12:10 – Mustafa përsërit: Ne nuk votojmë askënd të LVV-së

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, tha se edhe sot mbajtën qëndrimin e tyre, që nuk e votojnë askënd të Vetëvendosjes.

Mustafa komentoi edhe votën pro të Arben Gashit për Dimal Bashën si kryetar të Kuvendit. “Ndryshe prej tjerëve, në LDK vota është demokratike…”- për votën pro të Arben Gashit.

“Ne me LVV nuk kemi marrëveshje politike. Në mungesë të marrëveshjes, ne nuk kemi pse të marrim pjesë në një takim të tillë, madje të thirrur nga një palë e tretë, në këtë rast PDK. Nuk kemi pse të marrim pjesë në këto takime”- tha ai në pyetjen se a do të merrnin pjesë në takimin konsultues që e përmendi PDK” – u shpreh Mustafa.

12:07 – Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, votoi pro emrit të Dimal Bashës për Kryekuvendar

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi kur u pyet se përse votoi pro Dimal Bashës për Kryekuvendar, tha se ia kishte premtuar votën, pas kërkesës së Bashës.

“Ma ka kërku votën para disa muajsh, i’a kam premtu që e votojë” – tha Gashi.

11:48 – Krasniqi: Kërkuam pauzë kur u propozua Dimal Basha, nuk u aprovua

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, pas përfundimit të seancës, deklaroi se kur u propozua emri i Dimal Bashës, deputeti Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10 minutëshe, por sipas tij, kjo nuk u aprovua.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e interesuar të gjej zgjidhje, por vetëm të bllokoj. Doli Hekuran Murati e propozoi kolegen e saj, Arbërie Nagavci, gjë që është e paligjshme e jo kushtetuese. Kur u propozua emri i Dimal Bashës, deputeti jonë Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10 minutëshe, edhe përmes Sala Jasharit por nuk na u aprovua. Nuk mundemi veç me çu dorën por duhet një pauzë. Nuk e kam borxh që unë t’i votoj. Nëse 10 minuta nuk na i jepin, është disrespekt ndaj votës së qytetarit. Herën tjetër nëse edhe Dimal Bashën, duhet me dhanë një pauzë 10-minutëshe” – deklaroi Krasniqi.

“Nëse dojnë me ecë përpara, le te propozojnë sërish Dimalin. Është si me lu lloto (propozimi për Dimalin). Cili numër po ju del. Me ba Arbërie Nagavci hajgare. Po një minimum një 10 minutësh. Kush e di ndoshta do e kishim tash Dimalin Kryetar”- shtoi ai.

11: 39 – Dështon edhe emri i Dimal Bashës, mbyllet seanca

Vetëvendosje në tentativën e tretë propozoi Dimal Bashën për Kryeparlamentar.

Nga 106 deputetë, 57 kanë votuar për, 25 kundër, 24 abstenim.

PDK kësaj radhe ka abstenuar.

Mbyllet seanca, vazhdon të martën, 26.08.2025 në 11:00

11:37 – LVV ka propozuar Dimal Bashën për kryeparlamentar

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar deputetin Dimal Basha për kryetar të Kuvendit.

Kjo është hera e parë që u propozua emri i tij, dhe që i njëjti nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar të Kurtit.

11: 31 – Propozimi i ri i LVV-së, Arbërie Nagavci – dështon

Dështon edhe propozimi për Arbërie Nagavcin për Kryeparlamentare

Edhe propozimi i dytë i Vetëvenosjejs brenda seancës së 24 gushtit, ka dështuar edhe emri i Arbërie Nagavcit.

Nga 106 deputetë të pranishëm, 55 për, 47 kundër, 4 abstenim

11:28 – LVV propozon sërish Hekuran Muratin për Kryeparlamentar, dështon 

Deputetja Donika Gërvalla, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi Hekuran Muratin për kryetar të Kuvendit.

As kësaj radhe, që është hera e dytë me ditë të ndryshme, ministri në detyrë Hekuran Murati nuk ka marrë votat e mjaftueshme për Kryetar Kuvendi.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari dha lajmin që nga 106 deputetë të pranishëm, 55 për, 46 kundër, 5 veta abstenim

11:12 – Izmaku: Kompromisi shihet si ligësi, nuk ka shpresë për zgjidhje

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku para nisjes së seancës deklaroi se kompromisi nuk shihet si vlerë, por si ligësi, teksa shtoi nuk ka shpresa për zgjidhje.

“Unë si deputete përderisa e shoh që ky lidership, partinë e parë fituese por edhe partitë e tjera politike nuk e shohin kompromisin si një vlerë në demokraci por si një ligësi, unë nuk kam më shpresë që do të ketë ndonjë zgjidhje. Nuk ka mirëkuptim mes partive dhe prandaj nuk ka zgjidhje. Pas ciklit të dytë nuk kemi pasur asnjë takim me Vetëvendosjen. Tre tona i japim pa kusht nëse arrihet një marrëveshje”.

10:59 – Vlora Çitaku: Lëvizja Vetëvendosje kërkon nënshtrim nga deputetët

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk donë bashkëpunim e as kompromis, por kërkojnë nënshtrim.

Sipas saj, PDK-ja i ka kontribuar vazhdimisht frymës së bashkëpunimit që institucionet të formohen sa më parë.

“PDK që nga dita e parë ka qenë konsistente dhe i ka kontribuar frymës së bashkëpunimin në mënyrë që institucionet të konstituohen. Kemi pasur një qasje tërësisht të papërgjegjshme nga grupi i parë parlamentar. Është evidente që ata[LVV] nuk duan bashkëpunim, bashkërendim dhe kompromis, kërkojnë nënshtrim nga deputetët. Muaj të tërë, ky kuvend përmes kryesuesit nuk e ka kryer detyrën e vetë, dhe ai ka qenë në shkelje të Kushtetutës.

“Kosova ka halle të mëdha, jemi dëshmitarë të çmimeve të larta, të kostos së lartë, liberalizimit i tregut të energjisë  rrezikon largimin e punëtorëve, tani fillon viti i ri shkollor, me shumë halle, e ne ende po flasim për kryetarin e Kuvendit, pa përgjegjësi totale nga ana e LVV-së” – shtoi ajo.

10:52 – Lahi Brahimaj: Edhe sot, LVV besoj që do të propozoj emra që nuk do të marrin votat

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lah Brahimaj, ka deklaruar se beson që LVV që do të propozoj emra që nuk do të marrin votat.

“Edhe sot Vetëvendosje besoj që do të propozoj emra të njëjtë që nuk do të marrin votat. Ne kemi dhënë mundësinë tonë. E votojmë këdo tjetër që nuk ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar dhe nuk ka ofenduar UÇK-në. Nuk e di pse kanë abstentuar (deputetët e AAK-së) për Hekuran Muratin, se atë nuk kam qenë për shkak se kam pasur rast vdekje” – ka deklaruar Brahimaj para seancës së Kuvendit.

08:50 – Përpjekja e radhës e Kuvendit

Deputetët do të mblidhen për përpjekjen e radhës për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës.

Kjo është përpjekja e tretë e deputetëve pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese që i urdhëron ata që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh. Afati ka nisur të rrjedh prej 18 gushtit, atë ditë që u publikua aktgjykimi.

Në vazhdimin e seancës së kaluar më 22.08.2025, Lëvizja Vetëvendosje si partia fituese ka propozuar ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve,Hekuran Murati, por i njëjti nuk i mori votat e mjaftueshme për Kryeparlamentar. Me 57 vota për, 52 kundër e 6 abstenime, Murati nuk i mori votat e nevojshme.

Ndërsa, në seancën e 20 gushtit, dy emra për Kryetar të Kuvendit, dy ministret në detyrë Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla-Schwarz, poashtu nuk morën votat e mjaftueshme.

Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses i publikuar më 18.08.2025, urdhëron që partia e parë nuk mund të propozojë më shumë se tre herë të njëjtin person për Kryeparlamentar.

Ndryshe prej seancave nga 27 qershori deri më 26 korrik, vazhdimi i seancës konstituive të 20 dhe 22 gushtit nisi me pikën e tretë të rendit të ditës që është ‘zgjedhja e kryetarit të Kuvendit’.

Vazhdimet e seancave prej të 38-tës deri në të 54-tën para aktgjykimit të fundit, janë shpallur të pavlefshme nga Kushtetuesja, pra nga 27 qershori deri më 26 korrik.

Që seanca të fillojë në pikën e tretë të rendit të ditës dhe të respektohet me përpikëri përmbajtja e vetme e seancës konstituive e përpiluar nga kryetari i legjislaturës së kaluar së bashku me kryetarët e subjekteve politike, ishte një nga urdhrat e Kushtetueses.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka deklaruar para mediave se kjo parti nuk voton anëtarë të Qeverisë Kurti 2, e as shefen e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila.

“Ata sollën edhe një herë një kandidat që e dinin saktë që nuk i ka votat. E kemi bërë të qartë që PDK nuk e voton asnjë nga kandidatët e Qeverisë Kurti 2 dhe këtu e përfshijmë edhe Shefen e Grupit Parlamentar. Janë edhe 35 kandidatë tjerë që i ka VV e që nëse do viheshin në votim ndoshta sot do e konstituonim Kuvendin” – ka deklaruar Krasniqi.

Kurse, Donika Gërvalla nga LVV-Guxo deklaroi se ish-opozita nuk ka frikë nga emrat që po propozojnë por nga Qeveria Kurti 3.

“Frika e opozitës nga Qeveria Kurti 3 është shpërfaqur hapur gjatë ditëve e muajve të fundit. Nuk ka më asnjë arsyetim që mund të bind qytetarët që qenka çështja për emra të pëveçshëm. U dha emri i tretë me radhë nga subjekti fitues” – deklaroi ajo pas seancës.

Kërkesat në Kushtetuese, që si rrjedhojë pasoi aktgjykimi, ishin dërguar ndarasi në Kushtetuese me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar propozimin e kryesuesit të seancës, Avni Dehari, i cili ndryshoi formën e votimit për kryeparlamentar nga i hapur në të mbyllur.

Vazhdimet e seancave prej të 38-tës deri në të 54-tën janë shpallur të pavlefshme nga Kushtetuesja, pra nga 27 qershori deri më 26 korrik.

Pas publikimit të aktgjykimit të plotë, partitë e opozitës së legjislaturës së tetë u shprehën të lumtura me rezultatin e kërkesave të tyre në Kushtetuese kurse Lëvizja Vetëvendosje që doli e para edhe në këto zgjedhje, ka shprehur pakënaqësitë e saj.

Deputetët për herë të fundit, para seancës së 20 gushtit, ishin mbledhur më 26 korrik, dy herë brenda ditës pasi që atë ditë ka qenë afati i fundit nga Kushtetuesja nga aktgjykimi i 26 qershorit.

Ndërkohë, Kosova tashmë ka më shumë se gjysmë viti pa institucione të reja, pasi seanca konstituive që ka nisur që më 15 prill, por ende nuk ka përfunduar me një zgjidhje.

Seanca e fundit e legjislaturës së tetë është mbajtur mbajt me 5 dhjetor 2024.

Nga Zgjedhjet e 9 shkurtit fitues doli Lëvizja Vetëvendosje me 42.30%, PDK e dyta me 20.95%, LDK e treta 18.27%, AAK-Nisma me 7.06%.

Dështon propozimi i ri i LVV-së, as Hekuran Murati nuk i merr votat e mjaftueshme për kryeparlamentar