foto; Denis Sllovinja
Dështoi mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së, nuk pati kuorum
Mbledhja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, që ishte planifikuar të mbahej të enjten, më 27.03.2025, nuk u mbajt për shkak të mungesës së disa anëtarëve të këtij Këshilli.
Këshilli Drejtues përbëhet nga 9 anëtarë: 7 prej tyre burra dhe 2 gra: Altin Sahiti (Kryetar), Arbëresha Nela-Turjaka (Zëvendëskryesuese e KD-së) dhe Azem Hajdari, Arian Krasniqi, Naser Kabashi, Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu Zaimi (anëtarë).
Në mbledhje, më 27.03.2025, munguan: Hajrullah Koliqi, Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi dhe Arta Shehu-Zaimi. Kurse, të pranishëm ishin edhe rektori i UP-së Arben Hajrullahu, ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm të UP-së Besnik Loxha dhe prorektorja për Financa e UP-së Albana Berisha-Qehaja.
Sipas Rendit të ditës të kësaj mbledhjeje Këshilli Drejtues kishte planifikuar të diskutonte dhe miratonte Rregulloren për Financimin e Veprimtarisë Kërkimore-Shkencore, Artistike dhe Sportive në UP, të diskutonte dhe miratonte Kërkesën për hapjen e Konkursit për praktikant në UP.
Ndërsa ishte planifikuar të bëhej njoftimi nga menaxhmenti i UP-së, në lidhje me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2026-2028 – për çka e pranishme për këtë mbledhje ishte edhe prorektorja Berisha-Qehaja.
Tjera Pika në Rendin e ditës për këtë mbledhje të Këshillit Drejtues të UP-së ishin: diskutimi në lidhje me Strategjinë e Botimeve në UP, shqyrtimi i Kërkesave dhe Ankesave të palëve nga Komisioni dhe marrja e Vendimeve përkatëse.
Si dhe te të ndryshmet ishte planifikuar të diskutohet: në lidhje me kompensimin për orët në nivelin e studimeve të doktoratës dhe mentorimet në atë nivel, për komisionin e specifikimeve teknike në UP, në lidhje me gjetjen e zgjidhjes për blerjen e biletave me çmim të arsyeshëm të tregut për udhëtimet jashtë vendit.