Seanca gjyqësore ndaj Shaban Gogajt

Përfundon rigjykimi ndaj Shaban Gogajt, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt

Në Gjykatën e Pejës është mbajtur seanca e fundit e rigjykimit të rastit të vrasjes së Agonis Tetajt për të cilën akuzohet Shaban Gogaj, ndërsa Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje.

Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje. Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.

Në seancën e së martës (12.03.2024), pas administrimit të provave materiale, i akuzuari Isuf Cacaj dha mbrojtjen me ç’rast u përgjigj në pyetjet e avokatit të tij, Veton Berisha.

Cacaj deklaroi se e ndjen veten fajtor e se nuk ka qenë në dijeni se posedimi i armës me gaz është vepër penale.

“Sikur ta kisha ditë që është vepër penale, e kom pas të drejtën me apliku për leje sepse unë veç kam pasur leje për një armë tjetër”.  “Nuk kisha rënë në kundërshtim me ligjin, në momentin që e kom kuptu jom ndi keq dhe atëherë edhe sot e pranoj fajin krejt qysh më ngarkon akuza”- u shpreh i akuzuari Cacaj.

Seanca u përcoll me kundërthënie mes palëve, pasi mbrojtësi i viktimave, Luan Mehmetaj, bëri replikë ndaj fjalës përfundimtare të avokatit Besnik Berisha të thënë në seancën e datës 07.03.2024.

Objekt i këtyre kundërthënieve ishte kërkesa pasuroro-juridike e parashtruar në seancën e fundit nga mbrojtësi i viktimave Mehmetaj, e cila prekte shumën prej 628 mijë euro.

“Avokati i të akuzuarit sipas metodologjisë së tij poshtëruese shtrembëroi qëllimisht kërkesën pasuroro-juridike me konstatime poshtëruese”- tha Mehmetaj.

Tutje, i njëjti tha se familja e të ndjerit Agonis Tetaj kërkojnë vetëm drejtësi dhe nuk e shesin atë për asnjë çmim.

“Asnjëherë dhe për asnjë çmim as familja Cacaj e as familja Tetaj nuk do ta shitblenin drejtësinë e burrit, përkatësisht djalit të tyre, siç pretendon mendja atipike e avokatit Berisha, përkundrazi ata duan drejtësinë dhe janë të bindur thellë që vrasja është e rendë ashtu siç përcaktohet në aktakuzë”- tha mbrojtësi i viktimave.

Kërkesën për këtë dëmshpërblim e ka kundërshtuar e dëmtuara Albesa Cacaj, bashkëshortja e viktimës.

“Lutem që kërkesën e parashtruar nga zoti Luan në seancën e kaluar të mos merret si kërkesë e familjes së Agonisit”- shpreh Albesa Cacaj.

Ajo deklaroi se qëllimi i saj nuk është dëmshpërblimi.

“Nëse kisha pas pik synimi dobinë pasurore, atëherë nuk kisha ardhë qe 5 vite t`u u zvarrit nëpër salla të gjyqeve për të pritur drejtësi”- tha e dëmtuara Cacaj.

Pas deklaratës së mbrojtësit të viktimave dhe të dëmtuarës, fjalën e mori avokati Besnik Berisha.

Berisha në deklarimin e tij aludoi rreth qëllimeve të mbrojtësit të viktimave në raport me kërkesën për dëmshpërblim.

“Si duket përulja dhe njollosja e imazhit të familjes Tetaj e Cacaj dhe tani të ndjerit paska qenë e pjesëtuar nga mbrojtësi, por jam kureshtar të di nëse kishte përqindje ai në këtë shumë, apo e bënte për të nxitur të tjerët të linçojnë e fyejnë të dëmtuarit pa të drejtë e pa meritë”- u shpreh avokati Berisha.

Kujtojmë se gjykimi ishte paraparë të përfundonte me seancën e datës 07.03.2024 por çështja u kthye në fazën e administrimit të provave pasi trupi gjykues revokoi pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Ky rast po trajtohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën e Pejës nga trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Husaj- Rugova, anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.

Shpallja e aktgjykimit pritet të bëhet më datë 15.03.2024.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO – LINK