Dërgohet në mbajtje Ilir Abdullahu, i dyshuar në rastin e vrasjes së Triumf Rizës

Për vrasjen e zyrtarit policor Triumf Riza që ndodhi në vitin 2007, Policia e Kosovës dje ka arrestuar të dyshuarin Ilir Abdulluahu.

Ilir Abdulluahu ishte në kërkim tash e 15-vjet nga organet e rendit, e arrestimi i tij ndodhi dje në Batllavë të Podujevës.

“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, më datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I. A.) i njohur me nofkën Liza” – thuhet në njoftimin e Policisë në Facebook.

Përderisa në raportin e sotëm 24-orësh, Policia ka thënë se Abdullahu me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Dje Policia njoftoi se arrestimi i Ilir Abdullahut është kryer në bashkëpunim dhe koordinim të njësiteve të ndryshme policore, përfshirë edhe sektorin e narkotikëve të cilët kanë asistuar deri në arrestimin e tij.

Rrahim Abdullahu, Ilir Abdullahu, Fitim Avdiu, Arben Berisha, janë katër personat që dyshohen të kenë privuar nga jeta policin Triumf Riza më 30 gusht 2007 në Prishtinë.

Ata dyshohet se i ka nxitur Enver Sekiraqa, ndaj të cilit ditë më parë, Gjykata kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Sekiraqës që ai të lirohet nga arresti shtëpiak.

Çfarë thotë aktakuza për vrasjen e Triumf Rizës?

KALLXO.com ka siguruar akuzën e parë me të cilën ngarkohet i pandehuri Enver Sekiraqa, në të cilën shpjegohet në detaje se si kishte ardhur deri te vrasja e Triumf Rizës që u krye nga Arben Berisha, njeriu i besueshëm i Sekiraqës.

Në këtë akuzë thuhet se më 30 gusht 2007 në Prishtinë, Enver Sekiraqa ka nxitur Arben Berishën që të privonte nga jeta Triumf Rizën, i cili shërbente si zyrtar policor më Shërbimin Policor të Kosovës.

Berisha, në akuzë thuhet se privimin nga jeta të Rizës e ka bërë në bashkëkryerje me Rrahim Abdullahun, Ilir Abdullahun dhe me Fitim Avdiun.

Dosja e siguruar nga KALLXO.com thotë se katër të akuzuarit këtë e kanë bërë në mënyrë shumë mizore dhe mashtruese për shkak të një hakmarrjeje të paskrupullt apo ndonjë motiv tjetër.

“Respektivisht hakmarrje personale kundër të përmendurit Triumf Riza” – thuhet në akuzë.

Akuza shpjegon se si para vrasjes, grupi në fjalë, pra katër të akuzuarit, kanë bashkëpunuar mes vete dhe kanë përcjell lëvizjet e Rizës me qëllim që të ndiqnin rrugët e tij.

Po atë ditë, pra më 30 gusht të vitit 2007, përderisa Enver Sekiraqa, Arben Berisha dhe Rrahim e Ilir Abdullahu ishin në kafenenë “Sekiraqa” në bulevardin Bill Clinton, Fitim Avdiu nëpërmjet telefonit të tij i dërgon Ilir Abdullahut mesazh ku shkruan “Komshiu e ka makinën në parkingun e Grandit”.

Ky mesazh, sipas akuzës që është siguruar nga KALLXO.com i referohej viktimës Triumf Riza, banesa e të cilit thuhet se ishte në anën e kundërt të rrugës ku gjendej kafeneja “Sekiraqa”, e i cili në atë kohë gjendej në hotelin “Grand” të Prishtinës.

Me të pranuar këtë SMS, akuza thotë se Arben Berisha, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu, duke e vozitur makinën e këtij të fundit, që ishte e tipit “Passat”, kanë shkuar në kafenenë “Queens”

Në këtë kafene, Arben Berisha u tha se është futur i armatosur me ‘Glock’ të kalibrit 9×19, përderisa dy të tjerët, pra Rrahim e Ilir Abdullahu vazhdojnë në një kafene tjetër me qëllim që ta prisnin Triumf Rizën.

Riza, tregohet se ka qenë klient i rregullt në kafenenë ‘AM/PM’ e pasi ai del nga aty dhe fillon të ec në drejtim të makinës së tij, e cila ishte në parkingun e vendit të quajtur “Flamurtari në Dardani”, ai qëllohet me armë.

Akuza tregon se Arben Berisha kishte vrapuar pas tij dhe kishte shtënë me 11 plumba pa kurrfarë paralajmërimi apo provokimi.

Tre prej plumbave të shkrepur kishin goditur Triumf Rizën duke e plagosur atë për vdekje.

“Mënyra e vrasjes ka qenë mizore dhe mashtruese pasi që ka qenë e para-planifikuar dhe është ekzekutuar nga një grup kundër një viktime të pambrojtur e që është qëlluar nga prapa” – thuhet në akuzë kundër Enver Sekiraqës.

Akuza tutje thotë se vrasja është organizuar dhe koordinuar nga një numër individësh të cilët ishin anëtar të grupit të ashtuquajtur “Grupi Sekiraqa”, lider i të cilit ishte vet i akuzuari Enver Sekiraqa.

Triumf Riza, sipas kësaj akuze është vrarë pasi gjatë viteve që kanë shpirë deri të vrasja e tij, ai kishte qenë shënjestër për hakmarrje.

Në vitin 2004, Riza ishte shoqëruar me Adelina Ismajlin, e që akuza thotë se që nga vitin 2003 ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit e të bandës së tij pasi që Enver Sekiraqa shpesh e kishte kërcënuar atë.

Madje, akuza thotë se në shumë raste, Sekiraqa e kishte detyruar Adelina Ismjalin t’i jepte atij shuma të ndryshme parash që varionin nga qindra euro deri në 9 mijë euro.

Detyrimet akuza thotë se kishin përfunduar atëherë kur Triumf Riza e kishte marr në mbrojtje Adelina Ismjalin. Riza tregohet se i kishte thënë Ismajlit të refuzonte t’i bënte këto pagesa parash për Enver Sekiraqën dhe të raportonte në Polici çfarëdo rasti tjetër të frikësimit.

Po ashtu, akuza tregon se më 24 dhjetor të vitit 2005, në një klub nate të quajtur “Swiss Casino” në Prishtinë, kishte ndodhur një përleshje e dhunshme në mes të Triumf Rizës dhe bandës së Enver Sekiraqës.

Në këtë përleshje kishte pasur edhe të shtëna armësh dhe ishin lënduar një numër individësh. Në këtë incident është thënë se është lënduar edhe vet Enver Sekiraqa, i cili ishte shtruar në spital, si rezultat i incidentit të dhunshëm me të ndjerin.

Ky incident, sipas akuzës, ka shtyrë Enver Sekiraqën që aktivisht të kërkojë hakmarrjen kundër Triumf Rizës.

Më pas, edhe më 22 maj 2006, Enver Sekiraqa ishte përfshirë në një incident të dhunshëm me pjesëtarë të tjerë të Policisë së Kosovës në Ferizaj.

Për këtë, i pandehuri gjithashtu fajëson Triumf Rizën duke besuar se ai i kishte inkurajuar kolegët e tij policor që të sulmonin Sekiraqën.

Akuza thotë se duke qenë se ishte në kërkim të hakmarrjes dhe i inatosur me veprimet e Triumf Rizës, në periudhën deri te vrasja e tij, Enver Sekiraqa dhe banda e tij shumë shpesh e kanë ndjekur atë me makina duke përpjekje për ta lënduar dhe frikësuar.

Po ashtu, akuza thotë se pretendohet se Enver Sekiraqa e kishte orkestruar vrasjen e Triumf Rizës, duke e organizuar bandën e tij që ta ndiqnin Triumf Rizën dhe duke e nxitur Arben Berishën, i cili ishte personi i tij i besuar brenda grupit që të shtinte të shtënat e vrasjes.

Triumf Riza tregohet se asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Arben Berishën, por vetëm me Enver Sekiraqën.

I arrestuari në Batllavë, i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës