Deputetja e LVV-së, Adriana Matoshi, njofton se po përballet me një sëmundje të re

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka njoftuar se tash e një kohë po përballet me një sëmundje të re.

Matoshi thotë se problemi është shfaqur para paraqitjes së saj në Festivalin e Këngës në RTSH.

“Për me e ditë të plotë, thashë t’ju tregoj që problemi jem ka fillu para paraqitjes time televizive në Festivalin e Këngës në RTSH. Nuk kom leju as vizita mjekësore me zhvillu në ditët kur kemi pas mbledhje në Kuvend e në komisionet ku jom përgjegjëse”- ka shkruar Matoshi në Facebook.

Deputetja e LVV-së është shprehur se do t’i nënshtrohet një operimi të radhës.

“Krejt, e po e marr veç Zotin edhe lutjet e mija e të ma të dashurve për një operim të radhës. Unë edhe sonte, po shtrihna në spital për me u kthy prapë”- ka thënë Matoshi.

Në nëntor të 2021-tës, Adriana Matoshi kishte bërë të ditur se pas nëntë vjetësh i ishte rikthyer tumori në kokë.

Një marsh solidariteti nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri tek “Teatri Kombëtar” ishte mbajtur për deputeten dhe aktoren Matoshi, me lutjen që ta mundte sëmundjen.

Postimi i plotë i Adriana Matoshit:

Edhe një tjetër …

Në çastin që e ke zbulu kush osht armiku yt, gjysmën e betejës e ke fitu.

E, unë në jetë i konsideroj vetëm dy armiq.

  • Ata që t’i rrehin krahët e të keshin në fytyrë po të shkelin e poshtnojnë pas shpine.
  • Shëndetin kur të tradhton at’herë kur mendon që je e gatshme me e bajt një mal mbi supe.

Sëmundjet e mija i kanë hap gjithmonë shume perde, e kanë shpërfaq fytyra të shumta pa maska. Njerëz të shumtë që kanë kesh ma shumë me problemet e mia, sesa me sukseset e mia.

Sonte po du me i gëzu krejt kto zemra të ligshta për s’vogli, e me i shqetësu shumë zemra të buta prej madhështie njerezore t’u ua dhon lajmin që tash e një kohë po përballna me një sëmundje të re.

Për me e ditë të plotë, thashë t’ju tregoj që problemi jem ka fillu para paraqitjes time televizive në Festivalin e Këngës në RTSH. Nuk kom leju as vizita mjekësore me zhvillu në ditët kur kemi pas mbledhje në Kuvend e në komisionet ku jom përgjegjëse.

Jom kon prezente për krejt, veç për veten jo.

Shëndeti m’tradhtoj prapë. Krejt po mendoni që kjo është shej që duhna me e ulë ritmin e jetës, me i ulë angazhimet.

Në këtë mujë të shenjtë, po i lo prapë fëmitë e mi, prindtë e mi, punën tem, çdo angazhim të mundshem, shoqnine që m’dojnë.

E edhe juve me maska. Krejt, e po e marr veç Zotin edhe lutjet e mija e të ma të dashurve për një operim të radhës.

Unë edhe sonte, po shtrihna në spital për me u kthy prapë.

Inatin, urrejtjen, e vnerin që e vjellin çdo dite përmi emrin tem, po shkoj me e largu prej trupit tem.

Unë prapë ju du shumë!

Ma shumë se ju që ma doni të keqen e ma uroni vdekjen edhe publikisht.

Unë po shkoj, për me u kthy.

Ishalla ky muaj i shenjtë, urrejtjen ja ua kthen në Dashni.

Po shkoj.

Ju lutnu unë me u kthy mirë.

Unë po lutna me ju gjetë juve ma mirë se kurrë ma parë!

‘Ecja për Adrianën’, qytetarët solidarizohen me aktoren e njohur