Ilustrim: Tufë delesh në Opojë.Korrik, 2023. Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com
Murtaja e kafshëve, ndalohet importi në Kosovë i deleve dhe dhive nga Rumania dhe Greqia
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë ka nxjerrë vendim për ndalimin e importit për të deleve dhe dhive nga shtetet e prekura me sëmundjen e kafshëve, nga Rumania dhe Greqia.
Ky vendim ka ardhur pasi duke bazuar në situatën epidemiologjike të raportuar për shpërthimin e sëmundjes “mortaja e ruminantëve të vegjël” – dele dhe dhi.
“Masat parandaluese për të penguar përhapjen e sëmundjes janë të vendosura nga autoritete kompetente të këtyre dy shteteve. Ata nuk lëshojnë dokumente apo certifikata mbi gjendjen shëndetësore për kafshët e fermave nga zonat e prekura. Ne si autoritet vendimin e kemi nxjerrë duke u bazuar në praktikat ndërkombëtare të tregtimit të kafshëve të gjalla mes vendeve.”
“Kjo si masë shtesë për të forcuar kontrollin në pikat kufitare për parandalimin e hyrjes se kafshëve të infektuara. Gjithmonë duke respektuar rregullat nacionale të legjislacionit në fuqi. Fermerët mbajtës të deleve dhe dhive udhëzohen të ngrisin masat biosigurisë në ferma. Për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të raportojnë tek veterinari” – thuhet në njoftimin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas këtij institucioni, konsumatorët “nuk kanë nevojë të shqetësohen, sëmundja është e karakterit ekonomik, ajo nuk përhapet tek njerëzit”.