Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Deklarata e Sami Lushtakut për Adriana Matoshin që ngjalli reagime
Kryetari i rizgjedhur i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë një deklaratë për ish-deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, duke e krahasuar atë me dikë që “del prej një shtëpie publike”.
Komentet e Lushtakut kanë ngjallur reagime në opinionin publik gjatë ditës së sotme (04.12.2025).
Këtë deklaratë Lushtaku e ka dhënë gjatë një prononcimi para mediave, pasi ka bërë betimin si kryetar i Skenderajt.
Ai u pyet nga gazetarët për deklaratat e Adriana Matoshit, e cila e akuzoi Lushtakun se “ka blerë toka me çmim 50 euro dhe i ka shitur të njëjtat me çmim 5 mijë euro”.
“Ai është niveli i zonjës Matoshi, sikur del prej një shtëpie publike e jo që është një deputete dhe ka përgjegjësi për fjalën. Ajo flet me qytetarë, prandaj mendoj që edhe zonja Matoshi, por edhe do zonja e zotërinj të tjerë, duhet me kanë shumë të kujdesshëm se çka flasin”- ka deklaruar Lushtaku në një pronocim.
Pas kësaj deklarate, erdhi reagimi i Adriana Matoshit, e cila përmes një postimi në rrjete sociale iu kundërpërgjigj ndaj Lushtakut. Ajo e kritikoi kryetarin e Skenderajt për gjuhën e përdorur dhe rikujtoi akuzat e bëra ndaj tij në të kaluarën.
“Njihere çika, tani djali, tash edhe babaU qenka lajmru, samisami, per mu tregojne qysh shkruj, qysh luaj ne filma, ne shfaqje, e qysh marr çmime gjithandej botes, qysh me punen dhe djersen tem kujdesem per dy prinderit dhe femijet.E per ty sami? Krejt e dijme. Per ty tregojne se qysh ke ble toka gjate luftes.Tani tregojne sami qysh ke ble toka Mas luftes ka 50€ ari, e na e ke shite ka 5 mije”- shkruan, ndër të tjera Matoshi në reagimin e saj.
Reagim publik ka bërë edhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), i cili e ka dënuar gjuhën e përdorur nga Lushtaku, duke e cilësuar seksiste, denigruese dhe të papranueshme.
“Dënojmë fuqishëm gjuhën denigruese, seksiste dhe krejtësisht të papranueshme të përdorur ndaj deputetes Adriana Matoshi nga Sami Lushtaku. Sulme të tilla personale, jo vetëm që ofendojnë një grua të zgjedhur nga qytetarët, por godasin të gjitha gratë që marrin pjesë në jetën publike dhe politike”- thuhet në njoftimin e tye.
Rrjeti i Grave u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që të reagojnë dhe të promovojnë një diskurs publik të bazuar në respekt dhe barazi.
Gjuhën e përdorur nga Lushtaku e ka dënuar edhe analisti Imer Mushkolaj.
Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Mushkolaj e ka konsideruar këtë deklaratë të Lushtakut si të papranueshme dhe të rrezikshme.
“Gjuhë e papranueshme, denigruese dhe e rrezikshme, që duhet dënuar nga të gjithë. Së pari nga vetë PDK’ja”- ka shkruar Mushkolaj.
Ndërkaq, në një pstim të radhës, ai ka këkruar reagim edhe nga gratë që janë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës.
“Ku janë gratë politikane të PDK’së? Asnjë reagim për gjuhën e Sami Lushtakut ndaj një gruaje tjetër politikane. Ulët për besë”- shkruan Mushkolaj.
Ndërkaq, reagime të ngjashme kundër deklaratës së Lushtakut pati edhe nga LVV.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar atë si “deklaratë të ulët dhe të turpshme”.
“Gjuha e Sami Lushtakut, kryetarit të sapobetuar të Skenderaj, ndaj deputetes Adriana Matoshi nuk është fjalë. Është simptomë. Nuk është rast. Është kulturë pushteti. E turpshme. E ulët. E papranueshme. Dhe pikërisht sepse s’është hera e parë, është edhe më e rëndë”- ka shkruar Haxhiu.
Po ashtu, për këtë reagim pati edhe nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz.
“Skandali i vërtetë nuk janë gjuha dhe qasja e tij primitive, por fakti që ai ende lëvizë i lirë, pa u përgjigjur para ligjit për bëmat e tij”- ka shkruar Gërvalla Schwarz.
Me gjuhë të ngjashme, deklaratën e të parit të Skenderajt e ka dënuar edhe ish-deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari.
“Në një deklaratë të vetme, kryetari i sapobetuar i Skenderajt, Sami Lushtaku, e quan me fjalë tjetër prostitutë Adriana Matoshin, e pastaj kërkon “kujdes” në atë që flasim, sepse sipas tij faktet që ajo ka përmendur (e që vetë Samiu i ka konfirmuar më herët) për shitblerjen e tokës publike, me fitime marramendëse për Lushtakun, paskëshin qenë “jo mjaftueshëm të mbështetura në fakte”- shkruan ajo, sot më 04.12.2025.
Deri më tash, përveç anëtarëve e deputetëve të LVV-së dhe disa prej figurave të ndryshme publike, nuk ka pasur reagime nga partitë e tjera politike në vend për këtë rast.