Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

Këshilli i Europës në Strasburg, Francë. Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com

KiE: Komiteti i Ministrave po zhvillon diskutime se si të vazhdohet me rastin e Kosovës

Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, Dominique Hasler ka deklaruar se çështja e Kosovës është përmendur disa herë në deklaratat e sotme të ministrave të Jashtëm.

Në një konferencë për media, ajo konformoi se kanë pranuar një letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës me rekomandimin për pranimin e Kosovës në KiE, dhe se brenda presidencës po bëhet gjithçka për të avancuar këtë proces.

Ministrja e Jashtme e Lihtenshtajnit theksoi se Komiteti i Ministrave është duke zhvilluar diskutime se si të vazhdohet.

“Ne kemi marrë një letër nga Asambleja Parlamentare të Këshillit të Europës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin. Së bashku me shtetet anëtare kemi bërë gjithçka që të avancojmë procesin dhe Komiteti i Ministrave është duke zhvilluar diskutime se si të vazhdohet”- ka deklaruar Hasler.

Kurse kryeministrja e Lituanisë, Ingrida Simonyte, e cila sot mori Presidencën e Komitetit tha se për çështjen e pranimit të Kosovës në KiE, pyetja nuk është “nëse” por “kur”.

“Pyetja nuk është ‘nëse’ por është ‘kur’- dhe procesi do të vazhdojë”- u shpreh Simonyte.

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës (KiE) mbajnë mbledhje sot më 17.05.2024.

Çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë nuk është vendosur në agjendën e kësaj mbledhjeje.

Në Kosovë kishte pritshmëri se në këtë takim do të vulosej që shteti më i ri në Europë do të bëhej anëtar i 47-të i KiE-së.

Por, nga disa shtete Kosovës i është kërkuar dorëzimi i projektstatutit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatë Kushtetuese si hap për të fituar mbështetjen e shumicës së përfaqësuesve të shteteve anëtare të KiE-së për anëtarësim në këtë organizatë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, më 16.05.2024, i ka dërguar letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për siç ka thënë ajo, zotimin për përgatitjen e një drafti që parasheh “krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim”.

Ky draft, siç ka thënë Gërvalla, do të dërgohet për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj.

Letra e Gërvallës nxiti reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit dhe rezultoi se ishte dërguar pa u koordinuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani.