Naftëtarët i bëjnë thirrje Qeverisë të marrë masa për “çrregullimet e çmimeve në treg”

Lidhur me problemet në sektorin e derivateve në Kosovë, Shoqata e Naftëtarëve sot më 17.05.2024 ka mbajtur tryezë diskutimi me naftëtarët e vendit.

Pjesëtarë të shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Tregtisë që ta zgjidhin çështjen e kontrollimit të çmimeve.

Shqetësimet më të mëdha ishin nga naftëtarët e Gjilanit, të cilët thanë se prej tash e dy viteve ka çrregullime të çmimeve të derivateve në treg.

Ankesë e tyre është çmimi më i ulët i shitjes së naftës në raport me çmimin e importuar.

“Ne jemi në fund, Komuna e Gjilanit është katastrofë. E kisha lutur së pari Ministrinë e Tregtisë dhe kryeministrin që të ndërmarrë diçka ose po i mbyllim krejt. Ne të Gjilanit po bëhemi për vitra…jam duke i mbajtë 17 punëtorë, jam në humbje që dy vite”- tha Fadil Kryeziu, naftëtar.

Ankesa të ngjashme drejtuar Shoqatës së Naftëtarëve, pati edhe nga naftëtarët të tjerë nga Komuna e Gjilanit.

“Nuk guxon një pompë në Gjilan me e shit naftën 1.16 cent kur nafta është 1.19 cent ose 1.20 cent me shumicë, ajo duhet të ketë 3 cent mbi shumicë”- është shprehur naftëtari Musa Rexhepi.

Ndërkaq nga Autoriteti i Konkurrencës, thonë se nuk janë përgjegjës për këto çrregullime në tregun e derivateve, edhepse thonë se e kanë trajtuar si dukuri.

“Ne nuk jemi rregullator që i rregullojmë çmimet në treg”- ka thënë Etrit Tetova nga Autoriteti i Konkurrencës.

Sipas Tetovës, prej vitit 2020 caktimi i çmimeve të derivative të naftës është rregulluar përmes aktiviteteve juridike nga Minsitria Indistrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe se kjo ka ndodhur për shkak të çrregullimeve periodike edhe në tregun ndërkombëtar.

“Autoritetet publike duhet me reagu që tregu po çrreegullohet”- ka thënë Tetova.