Dënimet e Gjykatave për rastet e dhunës në familje gjatë muajit mars

Brenda muajit mars Gjykatat e Kosovës i kanë ndëshkuar 54 persona për ushtrim të dhunës në familje.

Të dhënat për dënimet janë grumbulluar në një hulumtim të realizuar nga KALLXO.com, gjatë këtij muaji.

Pejë – Janë shqiptuar 4 dënime, prej tyre 3 dënime me burgim dhe me gjobë, si dhe 1 dënim me gjobë dhe kusht

Prizren –  Janë shqiptuar 11 dënime, prej tyre 4 dënime me burgim efektiv, 5 dënime me kusht, 2 dënime me gjobë, si dhe 3 dënime me gjobë krahas dënimeve kryesore

Ferizaj – Janë shqiptuar 24 dënime, prej tyre 3 dënime me burgim efektiv, 1 dënim me burgim dhe me gjobë, 5 dënime me gjobë, 13 dënime me kusht, 1 dënim me gjobë dhe kusht

Gjakovë – Janë shqiptuar 13 dënime, prej tyre 4 dënime me kusht, 6 dënime me gjobë dhe kusht, 3 dënime me gjobë

Gjilan – Është shqiptuar 1 dënim, i akuzuari është dënuar me dënim me gjobë dhe kusht

Mitrovicë – Është zgjidhur 1 rast i dhunës në familje, i akuzuari është shpallur i pafajshëm

Prishtinë – Gjykata e Prishtinës nuk ka ofruar të dhëna

Dhuna në familje është vepër penale e cila ndëshkohet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitave ligjore, kushdo që ushtron dhunë në familje mund të dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre vite.

“1. Kushdo që e kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, psikologjik ose ekonomik me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 (tre) vjet.
2. Kur çfarëdo vepre në Kodin Penal kryhet brenda marrëdhënies familjare, do të konsiderohet si rrethanë rënduese.
3. Çdo anëtar i familjes që ushtron dhunë ose keqtrajtim fizik, psikologjik, seksual ose ekonomik ndaj anëtarit tjetër të familjes së tij/saj, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet.
3.1. “Marrëdhënia familjare” për nevojat e kësaj dispozite është në përputhshmëri me përkufizimin në nenin 113 të këtij kodi.
3.2. Dhuna në familje, dhuna fizike, psikologjike, seksuale dhe ekonomike, për nevojat e këtij kodi do të jetë e njëjtë siç është përkufizuar ne dispozitën e nenit 2, nën paragrafi 1.2. të Ligjit nr. 03/L-182 për mbrojtje nga Dhuna në Familje”, thuhet në Kodin Penal.

Gjatë vitit 2021 2486 raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës.

Prej tyre rezulton se 1986 raste janë raportuar nga gratë.

Qyteti me më së shumti raste të dhunës në familje të raportuara për vitin 2021 është Prishtina.