Foto: Antigonë Isufi/ Kallxo.com
Delegati i Hungarisë del kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës
Zsolt Nemeth, deputet nga Hungaria, ka thënë në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (KE), se është kundër raportit që u prezantua të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në KE.
Nemeth ka dhënë tri arsye për këtë kundërshti, duke theksuar se Kosova nuk i ka përmbushur zotimet, duke përmendur edhe mosthemelimin e Asociacionit.
“Janë tri arsye pse nuk e mbështesim raportin. E para, Kosova nuk ka përmbushur zotimet, Asociacioni. E dyta është Serbia. Mohimi i interesave të Serbisë rrezikon stabilitetin” – ka thënë ai.
Sipas tij, arsyeja e tretë është se Këshilli i Europës shkon kundër parimeve për stabilitet nëse e pranon Kosovën pjesë të saj.
Raporti i Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë.
Nëse 2/3 e delegatëve të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e miratuar nga Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci më 27 mars, kjo do i hapë rrugë votimit të fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj.
Në hapin e parë, raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim.
Kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.
Për më tepër, Opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim lidhur Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.
Kosova ka aplikuar më 12.05.2022 për anëtarësim në Këshillin e Europës, me dorëzimin e aplikacionit nga zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla.