Osmani: Nëse Vuçiq me të vërtetë kujdeset për serbët e Kosovës, nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin në Këshillin e Europës

Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se edhe 25 vite që kur NATO i dha fund kampanjës gjenocidale të Millosheviqit, “përpjekjet për destabilizim dhe agresioni i Serbisë fatkeqësisht po vazhdon edhe sot e kësaj dite”.

Presidentja Osmani tha se nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të vërtetë kujdeset për qytetarët serbë në Kosovë, “nuk është një Vuçiq që kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës”.

“Natyrisht, një Vuçiq që me të vërtetë kujdeset për qytetarët serbë në Kosovë nuk është një Vuçiq që kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Nëse qëllimi më i vërtetë i Vuçiqit është të avancojë të drejtat e serbëve të Kosovës, të cilat ai i pretendon si motivi themelor për zbatimin e AKS, atëherë Vuçiq duhet të jetë avokuesi më i fortë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, që do të thotë më shumë të drejta të njeriut për serbët, jo më pak” – ka shtuar ajo.

Osmani ka përmendur se javën e kaluar, pak pas suksesit të Kosovës në Këshillin e Europës, Serbia eskaloi tensionet duke ndaluar autobusët me të cilët po udhëtonin shtetas kosovarë, por edhe serbë që punojnë në institucione të Kosovës.

“Vetëm javën e kaluar, menjëherë pas suksesit të jashtëzakonshëm të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Serbia përshkallëzoi tensionet duke targetuar autobusët që transportonin qytetarë të Kosovës, duke përfshirë shqiptarë dhe serbë që punojnë në institucionet e Kosovës. Ata konfiskuan dokumente personale dhe i nënshtruan individët në pyetje të zgjatura, duke lënë pasagjerët, përfshirë fëmijët e vegjël pa ushqim, ujë ose shërbime mjekësore për një kohë shumë të gjatë”- ka deklaruar Osmani.

Ajo përmendi edhe arrestimin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës nga komuniteti serb, dhe policëve të tjerë.

“Veçanërisht, Dejan Jankoviq, zëvendësdrejtor serb i Policisë së Kosovës, u ndalua, së bashku me policët e tjerë, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të frikësuar dhe minuar serbët e Kosovës që punojnë në institucione”- ka theksuar Osmani.

Presidentja deklaroi se ajo që është shumë e qartë, janë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për të prishur procesin e integrimit në Kosovë, sipas saj, duke përdorur taktika kriminale dhe terroriste për të ushtruar kontroll dhe përhapur frikë, “duke dëmtuar kështu sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Ajo tha se serbët që ishin integruar në institucionet e Kosovës u detyruan të japin dorëheqje për shkak të presionit të ushtruar nga strukturat ilegale të Serbisë.

“Sulmet ndaj pronave të tyre, shkatërrimi dhe rreziqet për jetën e tyre, me qëllim që t’i detyrojnë ata të largohen nga institucionet e Kosovës, janë skenarë të shpeshtë që thirren ndaj atyre që refuzuan të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës”- tha Osmani.

“Pra, po, serbët janë nën presion, por jo nga Qeveria e Kosovës por nga Qeveria e Serbisë. Imagjinoni, një politikan serb që vendosi lule në varrin e një vajze 7-vjeçare kosovare të vrarë gjatë luftës, u arrestua menjëherë dhe u torturua në burgjet serbe. Dhe ky është fati i çdo serbi që e mban rreptësisht linjën e Vuçiqit”- shtoi presidentja.

Presidentja, Vjosa Osmani, po përfaqëson Kosovën sot më 22.04.2024 në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Seanca nisi në ora 16:00, sipas kohës lokale në Kosovë.