Dasma në shtëpinë e inspektorit, nisin hetimet

Në dy javët e fundit, Kosova po përballet me një situatë të rënduar të pandemisë. Rastet pozitive dhe numri i të vdekurve nga COVID-19, çdo ditë e më shumë po rriten.

Por, krejt kjo situatë nuk ka mjaftuar për një inspektor të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV). Sabedin Kadriu, Koordinator i Zyrës Regjionale nga AUV në Gjilan vendosi që të shtunën mbrëma të bëjë një mbledhi familjare. Ai martoi djalin e ftoi mbi 40 persona.

Vetë inspektori Sabedin Kadriu tha se ishte vetëm një darkë familjare, por video incizimet treguan të kundërtën.

“Dasmën e kam pas të organizuar me 300 vetë, por e kam anuluar, e kam bë veç me familje time. Muzika është e imja. Djalin e kam martu, në shtëpi time jam, unë i kam 42-43 veta, është darkë familjare, unë kam drejtë me lëshu muzikë në shtëpinë time sa të kam qejf”, tha Kadriu të shtunën kur u pyet nga KALLXO.com për dasmën që organizoi në oborrin e shtëpisë.

Të hënën, institucioni për të cilin punon Sabedin Kadriu, nisi procedura disiplinore ndaj tij.

Flamur Kadriu, i cili u emërua për kryerjen e detyrave dhe përgjegjësitë e kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, tha se ndaj Kadriut do të ndërmarrën masa.

“Është bërë kërkesa për komision disiplinor, sipas rregullores, zyra për Burime Njerëzore po i zhvillojnë procedurat. Pra, kërkesa është bërë për inicimin e procedurës disiplinore, tash kanë nis procedurat”, tha ai për KALLXO.com.

“Këto janë procedura me ligj, patjetër duhet me shku nëpër procedura dhe ashtu siç është ligji duhet me zbatu, pastaj do të merren masa”, deklaroi ai.

Në të kaluarën, zyrtarë policorë janë shkarkuar për organizim të dasmave në kohë pandemie e në kundërshtim me vendimet e qeverisë.

Masat e qeverisë Kurti nuk vlejnë, inspektori i AUV marton djalin me 40 dasmorë

www.kallxo.com