Dasma e djalit, i kushtoi me suspendim eprorit të policisë së Gjilanit

Supozohej që pikërisht ai të kujdesej që masat për parandalimin e pandemisë COVID-19 të zbatoheshin në përpikëri. Por, mbrëmjen e së shtunës, shefi i Operativës Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjilan, Nijazi Kolgeci organizoi një aheng familjar në njërin prej restoranteve të njohura në Gjilan.

Kolgeci ftoi shumë mysafirë në dasmën ku martohej djali i tij. Atë natë në rajonin e Gjilanit kishin dal në terren inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të cilët edhe kishin ndërhyrë për ta ndërprerë dasmën e djalit të nënkolonelit, Nijazi Kolgeci.

Për këtë rast të dielën raportoi edhe KALLXO.com. Drejtoresha e stacionit policor në rajonin e Gjilanit, Elmina Mahmuti kishte konfirmuar që do të nisen procedurat disiplinore për eprorin Kolgeci. Për këtë, ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës.

KALLXO.com merr vesh se IPK ka kërkuar që t’i vazhdohet suspendimi shefit të Operativës Rajonale të Policisë në Gjilan, Nijazi Kolgeci.

Vendimi ndaj Kolgecit, është dërguar sot nga IPK te Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“IPK ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore në bazë të Autorizimit të PTH-Gjilan dhe duke marrë për bazë pozitën e të dyshuarit brenda DRP-Gjilan, ku shumica e dëshmitarëve të rastit të cilët janë zyrtarë policor e të njëjtit janë nën komandën e të dyshuarit nënkolonel Nijazi Kolgeci si shef Operativës Rajonale, integritetin e IPK-së lidhur me ndërmarrjen e masave ndaj zyrtarëve policor që bie ndesh me ligjin kundër pandemisë COVID-19, si dhe interesin e këtij hetimi penal, rekomandoj që nënkolonel Nijazi Kolgeci shef i Operativës Rajonale të Policisë në Gjilan, t’i vazhdohet suspendimi me pagesë deri në përfundim të hetimit të IPK-së”, thuhet në vendimin që e ka siguruar KALLXO.com.

Prokuroria autorizon IPK-në për hetimin e eprorit të policisë që organizoi dasmë në kohë pandemie

Nijazi Kolgeci u suspendua fillimisht nga niveli lokal më saktësisht nga drejtoresha e Policisë së Rajonit të Gjilanit, Elmina Mahmuti për 72 orë ndërsa pas autorizimeve që ka marrë IPK nga Prokuroria në Gjilan, inspektorati vendosi që të njëjtit t’i vazhdoj suspendimin deri në përfundim të hetimit.