Masat e qeverisë Kurti nuk vlejnë, inspektori i AUV marton djalin me 40 dasmorë

Është njeriu kryesor në rajonin e Gjilanit i cili do të duhej kujdeset që ligji për parandalimin e pandemisë dhe vendimet e ekzekutivit kosovar të zbatohen në përpikëri.

Por, Sabedin Kadriu, Koordinator i Zyrës Regjionale nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) më Gjilan vendosi që të shtunën mbrëma të bëjë një mbledhi familjare.

KALLXO.com ka siguruar një video ku shihet se hapësira ku është organizuar dasma është me mysafirë derisa nuk mungon as muzika e lartë.

“Kam organizuar darkë me familje, 40 veta janë të familjes time krejt me një mbiemër, Kadriu edhe Jashari, familjes së gruas”, ka thënë ai në një bisedë për KALLXO.com.

Kadriu ka thënë se dasmën me shumë mysafirë e ka anuluar pikërisht për shkak të masave, ndërsa organizimin e sotëm e ka quajtur vetëm një darkë familjare, ani se muzika dhe numri i mysafirëve kalon 40.

“Dasmën e kam pas të organizuar me 300 vetë, por e kam anuluar, e kam bë veç me familje time. Muzika është e imja. Djalin e kam martu, në shtëpi time jam, unë i kam 42-43 veta, është darkë familjare, unë kam drejtë me lëshu muzikë në shtëpi time sa të kam qejfin”, tha ai.

Nga 20 gushti, Qeveria e Kosovës kishte nxjerr vendim që të gjitha dasmat e ahengjet familjare të mos mbaheshin.

“Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 1 shtator 2021, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës,  në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 16 të vendit.

Kjo nuk është hera e parë që në rajonin e Gjilanit organizohen ahengje familjare në kundërshtim me ligjin. Muaj më parë, një komandat policie u suspendua pasi martoi djalin në kohë pandemie.