Derivatet e naftës, Ilustrim: Pixabay
Çmimi i naftës rritet për një cent
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka publikuar çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës që vlejnë për të premten, më 05.06.2026.
Çmimi maksimal për naftën është caktuar 1.52 euro për litër, ndërsa benzina lejohet të shitet deri në 1.42 euro për litër.
Kurse, një litër gazs është kufizuar në çmim prej 0.71 euro për litër.
Këto çmime hyjnë në fuqi në orën 10:00 dhe vlejnë vetëm për ditën e sotme (05.06.2026).
Një ditë më parë, më 04.06.2026, një litër naftë në Kosovë mund të shitej deri në 1 euro e 41 centë, një litër benzinë 1.43 euro dhe një litër gaz 0.71 euro.
Reuters ka raportuar se çmimet e naftës kanë pësuar rënie të enjten (04.06.2026), derisa marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Libanit ka rritur shpresat për një marrëveshje më të gjerë që t’i jepet fund luftës së SHBA-së e Izraelit me Iranin, e që mund të rezultojë me rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Qytetarët që kanë ankesa mund t’i adresojnë në [email protected] ose në numrin e telefonit 0800 11000.
Opozita në Kuvend, në legjislaturën e cila doli nga zgjedhjet e 28.12.2025 dhe përfundoi më 28.04.2026, kishte kërkuar nga Qeveria të heqë akcizën ose TVSH-në në derivate, duke thënë se kjo do të ulte çmimin në treg.
LDK me përkrahje të PDK-së dhe AAK-së kishte paraqitur propozim-rezolutën lidhur me rritjen e çmimeve të naftës, mungesën e ndërhyrjes së Qeverisë, si dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në koston e jetesës dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Një gjë e tillë nuk u përkrah nga LVV-ja dhe si rrjedhojë rezoluta nuk arriti të votohet më 03.04.2026 pasi nuk pati kuorum.
Më herët në muajin mars, MINTI-i kishte marrë një tjetër vendim në lidhje me çmimet e derivateve, duke përcaktuar marzhën tregtare të fitimit të lejuar prej 2 centë për litër për shitjet me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjet me pakicë.