Cili ishte roli i organizatave humanitare pas luftës në Kosovë në forcimin e ekstremizmit fetar?

Cili ishte roli i organizatave humanitare pas luftës në Kosovë në forcimin e ekstremizmit fetar?

Përfundimi i luftës në Kosovë, gjeti shumë kosovar në mes të rrugëve pa ndonjë të ardhur e në mëshirë të organizatave të huaja ndërkombëtare si dhe ato vendore.

Radikalizmi para vitit 1998 cilësohej i dobët dhe nuk kishte arritur që të krijonte pasoja të mëdha. Pas vitit 1999 vlerësohet se është periudha e nisjes së ndryshimit të qasjes së popullatës por edhe krijimin e grupeve ekstremiste islame, rezultatet e së cilës u panë pas vitit 2010.

Cak ishin, personat të cilët kishin humbur shumë gjatë luftës dhe tani do të ‘dorëzoheshin’ para çdo donacioni, qofshin ato edhe shkolla e kurse të ndryshme profesionale të cilat u përdorën për të vënë të rinjtë kosovar në kontakt me islamin.

Imami, Osman Musliu tregon për funksionin e organizatave të huaja humanitare dhe rolin e tyre në Kosovë pas luftës.

“Nuk e di qysh u bo po erdhën organizata prej botës arabe, turlifar organizata edhe prej botës perëndimore edhe këtu hynën dreqi e i biri bojshin sportivitet çfarë dojshin, me fe me politikë me familje, gjithçka ka pasur, gjëra të cilat kanë tentuar me na zhduk atë që është e jona ose me na zbeh atë që është shqiptare dhe islame por edhe të krishtere, me na involvu apo me na dhanë disa gjëra që nuk janë të dobishme për neve dhe nuk kemi nevojë me tjetër”, thotë Osmani deri sa shton se në mesin e këtyre ka pasur edhe organizata humanitare islame që në emër të humanizmit kanë vendosur edhe disa parakushte.

Lulzim Peci, KIPRED, Foto:KALLXO.com

Drejtori i Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Mensur Hoti shpjegon procedurën e daljes nga lufta dhe nevojës për ndihmë për shkak të dëmeve që ishin bërë në atë kohë.

“Pas luftës, ndodh ajo të cilën e kemi të qartë të gjithë. Ne ballafaqohemi me një situatë të jashtëzakonshme të rëndë në aspektin ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Njerëzit të shkatërruar nga lufta ishin në situatë që të presin të ndihmohen nga kushto që është e mundshme për shkak të mungesës së krijimit të shtetit dhe për shkak të politikave”, thotë Hoti ndërsa vazhdon të tregoj se rruga në atë kohë ishte hapur edhe për OJQ të ndryshme nën arsyetimin për ndihmë.

Mensur Hoti, Drejtor i Sigurisë Publike, MPB, Foto: KALLXO.com

Ai shton tutje edhe se këto OJQ kanë pasur edhe agjenda që i kanë shpalosur.

“Për bisedën ose temën e bisedës është agjenda fetare e ashtuquajtur fetare dhe ky ka qenë fillimi i ndryshimit ose i paraqitjes së fillimisht të shpjegimeve ndryshe e pastaj edhe të paraqitjes së ekstremizmave në vendin tonë”, tregon Hoti.

Drejtori i Anti- Terrorit në Policinë e Kosovës, Luan Keka, tregon format e përdorura nga këto organizata për të ‘rekrutuar’ e financuar kosovarët drejt ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Luan Keka, Drejtor i Anti- Terrorit, Foto: KALLXO.com

“Ka pasur forma të ndryshme, qoftë në formë të pagesës, qoftë përmes ndihmave të tjera materiale, apo përmes ofrimit të studimeve ofrimit të kurseve të ndryshme që kanë qenë pa pagesë për këta njerëz”, thotë Keka.

Pas luftës, u mbajtën edhe zgjedhjet e para, të cilat u kundërshtuan nga imam të ndryshëm në atë kohë.

Islami tani po vërehej se nuk ishte i njëjti, nisën të ndryshonin sjelljet, narrativa apo edhe paraqitja e fesë islame në publik.

Drejtori i Anti- Terrorit, Luan Keka tregon si ishin kundërshtuar zgjedhjet e para demokratike në vitin 2000.

“Indikacionet e para u panë në vitin 2000 në zgjedhjet e para kur imam të caktuar, jo të Kosovës, por të shteteve fqinje të cilët haptas kanë kundërshtuar zgjedhjet demokratike aso kohe. Kryesisht kanë qenë imam të Maqedonisë, shqiptar të Maqedonisë që haptas kanë bërë thirrje aso kohe që të bojkotoheshin zgjedhjet e organizuara nga liderët politik që shkak se islamin që ata kanë promovuar, ka qenë në atë mënyrë që zgjedhjet duhet të rregulloheshin sipas Ligjit të Sheriatit”, thotë Keka.

Në raportet policore sipas Kekës, janë paraparë edhe rreziqet e mundshme për shoqërinë dhe vendin për paraqitjen e radikalizmit të mëtutjeshëm të të rinjve.

“Rrezikun që këta të rinj në një periudhë mund të përfshiheshin në aktivitete terroriste ose të bashkohen në organizata terroriste siç e dini pas vitit 2001 sidomos pas 11 shtatorit me daljen në skenë të Al- Kaedas, mori një vëmendje të madhe ndërkombëtare dhe krijoi strehë në një pjesë të Afganistanit dhe ne si Polici e Kosovës aso kohe alarmonim se këto elemente ekstremiste ishin në një vijë me ideologjinë që edhe Al-Kaeda e promovonte”, vazhdon Keka.

Ai shton se u parashikua pjesëmarrja e të rinjve në këto organizata gjë e cila u vërtetua pas vitit 2012, me përhapjen e konfliktit në Siri.

Mensur Hoti nga MPB, thotë edhe se shoqëria ka qenë e targetuar në kohën e pasluftës kush mund t’i bashkëngjitej grupeve ekstreme në islam.

“KA qenë e targetuar një pjesë ndoshta më e ashtuquajtur e dobët, jo në aspektin kulturor- njerëzor por më e dobët për shkak se po flasim për gra që kanë mbetur të veja për fëmijët që kanë mbetur jetim dhe grupe të tjera jo domosdoshmërisht që bëjnë pjesë në këto, por kryesisht gjeneratat e reja të cilat në një formë apo një tjetër janë bërë pjesë, shumica e tyre jam i bindur se nga pavullneti dhe panjohuritë e tyre që të bëhen pjesë e një mekanizmi të tillë”, thotë Hoti.

Drejtuesi i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci tregon se në vitin 2003 instituti që drejton kishte botuar një punim për islamin politik ndër- shqiptar.

Lulzim Peci, KIPRED, Foto:KALLXO.com

“E kemi nxjerrë për herë të parë në Kosovë, si problematikë me të cilën mund të përballeshim në të ardhmen. Në atë kohë e kemi ngreh vëmendjen te lëvizjet vehabiste dhe salafiste të cilat kanë hyrë në Kosovës përmes mjeteve material të mëdha në atë kohë. Atë kohë janë hapur edhe shkolla kuranike në vende të ndryshme në Kosovë dhe duke u nisur nga përvoja që këto lëvizje të cilat edhe organizatat që disa prej tyre kanë pasur lidhje edhe me Al-Kaedan kanë vepruar në Kosovë dhe janë mbyllur”, thotë Peci.

Ai shton se ideologjia që nisi të shpërfaqej në Kosovë, nuk u mor seriozisht në atë kohë as nga institucionet në Kosovë e as nga bashkësia ndërkombëtare.