Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës, rezerva ushtarake e Forcave të Armatosura të Ukrainës, marrin pjesë në një stërvitje ushtarake pranë Kievit më 25 dhjetor 2021.  -  AFP 

Cilat vende të BE-së po e ndihmojnë ushtarakisht Ukrainën?

Ukraina u ka kërkuar vendeve evropiane ndihmë ushtarake dhe mbrojtëse mes frikës se Rusia do të pushtojë atë.

Mirëpo çështja e dërgesave të armëve në Ukrainë mbetet e diskutueshme. Gjermania ka qenë një nga kundërshtarët më të zëshëm, me ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn, duke thënë se është “e gabuar t’u thuash njerëzve se epërsia ushtarake ruse ndaj Ukrainës mund të balancohet duke dërguar armë”.

Në Ukrainë, megjithatë, ka zhgënjim për këtë hezitim për të ofruar ndihmë ushtarake.

Në një artikull të botuar nga gazeta gjermane Bild, kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, foli për “mos ndihmën dhe tradhtinë e miqve në një situatë dramatike”.

Por ka vende që janë të gatshme t’i ofrojnë armë Ukrainës, duke përfshirë shtetet baltike, Republikën Çeke dhe Poloninë.

Polonia 

Javën e kaluar, kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki ofroi zyrtarisht “dhjetëra mijëra plumba dhe municione artilerie, MANPAD, mortaja të lehta, UAV-të zbuluese dhe lloje të tjera të armëve mbrojtëse”, por ai nuk bëri të ditur asnjë detaj të mëtejshëm në lidhje me termet dhe kushtet.

Yago Rodriguez, analist politik, tha për Euronews: Besohet se Varshava tashmë ka dërguar drone kamikaze. Ky është një sistem armësh në të cilin municioni është një dron që fluturon mbi një zonë, duke pritur objektivin dhe duke sulmuar vetëm një herëpasi të jetë lokalizuar.

“Faza e fluturimit qarkullues lejon zgjedhjen e objektivave për t’u goditur”.

Varshava gjithashtu besohet se ka dërguar raketa portative kundërajrore GROM, të cilat janë armë të dirixhuara nga nxehtësia që lejojnë një aeroplan të goditet deri në tri kilometra larg. Këto armë përdoren kryesisht kundër tankeve për të ngadalësuar një sulm të mundshëm tokësor.

Raketat, nga ana tjetër, do të përdoren për ta kufizuar epërsinë totale strategjike ajrore të Rusisë për momentin. Dronët vetëvrasës mund të godasin edhe pozicionet e artilerisë ruse.

Republika Çeke

Qeveria çeke i dha Ukrainës një sërë raundesh artilerie në janar, si pjesë e mbështetjes së vendit në mes të kërcënimit të rrezikshëm të pushtimit rus.

Transferimi i 4006 predhave 152 milimetra me një vlerë totale prej 1.7 milion dollarë pa kosto për Ukrainën u miratua pas një kërkese nga Ministria Çeke e Mbrojtjes.

Vendet Baltike

Letonia dhe Lituania janë të gatshme të ofrojnë raketa anti-ajrore stinger dhe pajisje të ngjashme. Estonia do të dhurojë një sasi të papërcaktuar raketash antitank Javelin.

Por qeveria gjermane po shqyrton një leje të kërkuar nga Estonia për t’i dorëzuar këto armë Ukrainës.

Howitzerët nga ish-stoqet e Gjermanisë Lindore fillimisht u shitën në Finlandë në kushte të veçanta dhe më pas i ishin dhënë Estonisë.

Një nga këto kushte ishte që Berlini të mund të vërë veton për destinacionin përfundimtar të armëve.

Gjermania 

Berlini dërgoi së fundmi 5000 helmeta në Ukrainë, për të cilat Rodriguez tha se ishte një ndihmë jovdekjeprurëse, si dhe një akt politik.

“Ndihma ekonomike nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian ka qenë thelbësore, por tregon një zgjedhje politike. Të mos duash të dërgosh armë nuk do të thotë të zgjedhësh paqen. Do të thotë të mos jesh i gatshëm të qëndrosh pranë Ukrainës me çdo kusht,” tha Rodriguez.

Berlini i ka ofruar Kievit mbi 2 miliardë euro ndihmë ekonomike gjatë disa viteve të ardhshme, pasi të hënën njoftoi se do të dërgonte trupa shtesë në grupet e betejës së NATO-s në Evropën Lindore.

Spanja,Holanda dhe Danimarka

Spanja ka mobilizuar fregata dhe avionë luftarakë në Detin e Zi. Holanda dhe Danimarka kanë lëvizur trupa, por në vende të tjera të NATO-s, në mënyrë që të pengojnë Rusinë nga sulmet e mundshme.

Është e paimagjinueshme që BE-ja mund ta ndihmojë ushtarakisht Ukrainën për ta mbrojtur kufirin e saj, tha Rodrigues.

“Në traktatet e BE-së, blloku mund të ndërhyjë vetëm për të mbrojtur një shtet tjetër anëtar,” tha ai.

Por drejtori ekzekutiv i Fondacionit Ndërkombëtar të Rilindjes në Kiev, Oleksandr Sushko, i tha Euronews se një okupim në shkallë të plotë të Ukrainës nuk ka gjasa të ndodhë.

“Unë nuk besoj në një pushtim total të Ukrainës. Popullsia është kundër dhe Moska nuk ka burime të mjaftueshme,” tha Sushko.

“Ajo që Moska mund të përpiqet në vend të kësaj është të krijojë një sistem boshnjak, një shtet jofunksional dhe administratë joefikase të ndarë, me disa pjesë të kontrolluara nga Rusia. Një shtet jofunksional.”

Ukraina, ish “parajsa e armatimit”.

A i duhen vërtet Ukrainës më shumë armë për t’u mbrojtur?

Deri pak vite më parë, Ukraina ishte një nga eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë. Sa ishte pjesë e BRSS, Ukraina prodhonte 30% të armatimeve sovjetike. Për sa i përket shifrave, ajo punësonte një milionë punëtorë në mbi 750 fabrika në vend.

Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë, këto armë u zhdukën në tregun e zi dhe u rishitën në vendet afrikane.

Në vitin 2012, Kievi ishte eksportuesi i katërt më i madh i armëve në botë. Pakistani, Kina dhe Rusia ishin klientët e saj më të mirë.

Një nga problemet ishte se Kievi prodhonte pjesë rezervë të sistemeve të armëve, por nuk kishte një industri të aftë për të krijuar një armë të plotë. Një çështje tjetër kryesore ishte korrupsioni.

Në vitin 2010, të gjitha kompanitë e mbrojtjes ukrainase u bashkuan në një konglomerat të quajtur Ukroboronprom, i cili, në vetëm dhjetë vjet, shkatërroi prodhimin vendas për shkak të korrupsionit.

Në vitin 2014, Ukraina kishte, zyrtarisht, rreth 168,000 personel ushtarak, vetëm 6,000 prej të cilëve kishin trajnime ushtarake. Pjesa tjetër ishin pjesë e një administrate gjigante dhe të padobishme.

Në dokumentarin e tij “Ukraina, lufta e harruar”, gazetari Carlos Gonzalez tregoi se si kur u ndanë territoret lindore të vendit, u krijuan grupe vullnetare ukrainase.

Disa prej tyre ishin të orientuar drejt ekstremit të djathtë. Të tjerët nuk ishin. Kishte edhe grupe paraushtarake të formuara nga myslimanët ukrainas.

Kjo u financua me crowdfunding (praktika e financimit të një projekti ose sipërmarrjeje duke mbledhur shuma të vogla parash nga një numër i madh njerëzish) me organizata si “Come Back Alive” që gjetën para për të blerë armë për vullnetarët falë ndihmës ekonomike të diasporës ukrainase në mbarë botën.

Si dhe në çfarë kushtesh e kanë ndihmuar Shtetet e Bashkuara Ukrainën?

Një nga kushtet që vendosi Uashingtoni për dërgimin e armëve në Ukrainë ishte që të gjithë vullnetarët të ishin në ushtrinë e rregullt. Grupet paraushtarake më pas u inkorporuan në trupat e rregullta. Prandaj, ushtria ukrainase u rrit, sipas llogaritjeve të ministrisë së brendshme të Ukrainës, në një staf prej 250,000.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 2.5 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga viti 2014 dhe ndihma përfshin automjete dhe radarë anti-artileri. NATO ka dërguar gjithashtu instruktorë ushtarakë për të trajnuar trupat ukrainase.

E gjithë kjo, megjithatë, bëhet me një karakter parandalues. Ukraina ka marrë, për shembull, raketa antitank Javelin nga SHBA. Është një sistem raketash portativ. Një armë që do të ishte shumë e dobishme në betejë. Kontrata e furnizimit, megjithatë, ndalon përdorimin e këtyre raketave në luftime.

Furnizimi është një shembull tjetër i përpjekjes për parandalim. Perëndimi nuk dëshiron luftë. Evropa, e cila varet nga Rusia për furnizimet me gaz, nuk dëshiron luftë. Moska nuk e do Ukrainën në NATO dhe as si pjesë të Bashkimit Evropian. Askush nuk duket se dëshiron një konflikt dhe megjithatë asnjëherë më parë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, kontinenti evropian nuk ka qenë kaq afër një lufte./Euronews