Qeveria e Kosovës. Foto: Arjana Berisha, KALLXO.com

Cila ishte sfida në reformat e Qeverisë Kurti sipas raportit të Komisionit Europian?

Mungesa e vazhdueshme e bashkëpunimit ndërpartiak dhe mosmarrëveshjet brenda shumicës ishin sfidë për reformat e qeverisë e cila drejtohet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Kjo është një nga problemet e evidentuara në pjesën për demokracinë në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023 të Komisionit Europian.

“Stabiliteti i përgjithshëm politik i Kosovës i dha qeverisë një mundësi për ta zbatuar Reformat në lidhje me BE-në dhe miratimin e legjislacionit të vonuar. Megjithatë, mungesa e vazhdueshme e bashkëpunimit ndërpartiak dhe mosmarrëveshjet brenda shumicës rezultuan një sfidë për reformat”- thuhet në raport.

Në raport përmendet pajtueshmëria e pushtetit dhe opozitës për të dërguar përpara ligje që kanë të bëjnë me reformat europiane.

“Partitë opozitare mbështetën ligjet kyçe të lidhura me BE-në në disa raste. Megjithatë, thellë mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës mbeten”- thuhet në raport.

Sipas raportit përmirësim ka pasur në rritjen e numrit të grave në nivelet qeverisëse.

“Pjesëmarrja e grave në të gjitha nivelet e qeverisjes vendore dhe vendimmarrjes në institucione dhe partitë politike janë përmirësuar, por mbeten të ulëta. Kosova duhet të zbatojë edhe më tej Ligjin për Barazi Gjinore, i cili kërkon barazi gjinore në jetën publike”- thuhet në raport.

Në raport përmenden edhe problemet që e kanë shoqëruar punën e Kuvendit siç janë mungesa e kuorumit vendimmarrës, pavarësisht mbajtjes së qeverisë shumicë në Kuvend.

Si dhe dështimi i mbledhjeve të komisioneve të Kuvendit, seancat e kryesisë dhe seancave plenare vazhduan nga bojkotet e shpeshta dhe mungesa e kuorumit.

Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës evropiane brenda vitit kalendarik.