Komisioni Europian

Hiqjani “sanksionet” Kosovës! - Kërkesa e drejtuesve të Komisioneve parlamentare të 12 vendeve drejtuar BE-së

Kryesues të Komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të 12 vendeve europiane përmes një deklarate të përbashkët drejtuar Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe zëvendëspresidentit të Komisionit Europian, Josep Borrell dhe përfaqësuesit special të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak, kanë kërkuar të hiqen të gjitha masat negative të vendosura ndaj Kosovës dhe që të rinisë bashkëpunimi i plotë me Qeverinë e Kosovës.

Në muajin qershor, Bashkimi Europian kishte vendosur masa kufizuese ndaj Kosovës si pasojë e rritjes së tensioneve në veri të vendit gjatë muajit maj.

Tensionet ishin rritur që nga 24 maji, ditë kur kryetarët shqiptarë të katër komunave të veriut ishin vendosur në objektet komunale pasi ishin zgjedhur në ato pozita në zgjedhjet që ishin mbajtur në muajin prill pasi që zyrtarët komunalë të komunitetit serb kishin braktisur muaj më parë institucionet në katër komunat në veri të Kosovës.

Ky veprim ishte kundërshtuar nga protestuesit nga komuniteti serb, të cilët më 29 maj sulmuan edhe me armë zjarri ushtarët e KFOR-it, policët dhe gazetarët që përcillnin ngjarjet.

Dhjetëra ushtarë të KFOR-it qenë lënduar e plagosur nga dhuna e protestuesve.

Në deklaratën e përbashkët, të cilën e ka parë KALLXO.com, drejtuesit e komisioneve parlamentare të Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Kroacisë, Çekisë, Republikës së Irlandës, Belgjikës, Bullgarisë dhe Danimarkës, theksojnë se bojkotimi i zgjedhjeve komunale të 23 prillit me kërkesë të Listës Serbe, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalimi i paligjshëm i zyrtarëve policorë të Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor, dhe sulmi në Banjskë më 24 shtator zbulojnë një skemë agresioni që ka për synim minimin dhe destabilizimin e Kosovës.

“Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë irredentizmin dhe agresionin dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës” – thuhet në kërkesën e tyre.

Po ashtu, kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve për Punë të Jashtme të këtyre vendeve kanë përmendur edhe sulmin kundër Policisë së Kosovës nga një grup prej dhjetëra personash të armatosur në Banjskë të Zveçanit, të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, më 24 shtator.

Ata thonë se ky sulm shënoi një përshkallëzim të rëndësishëm.

Sipas tyre, situata mund të kishte kaluar lehtësisht në një përshkallëzim më të gjerë po të mos ishte profesionalizmi dhe guximi i Policisë së Kosovës.

Një pjesëtar i Policisë qe vrarë, një tjetër qe plagosur e një tjetër qe lënduar në këtë sulm, të cilin autoritetet e Kosovës e cilësuan terrorist.

“Sasia dhe lloji i armatimit të konfiskuar pas sulmit ngre pyetje serioze se çfarë roli mund të ketë pasur shteti serb në mbështetjen e operacionit” – thuhet në deklaratë.

Nënshkruesit e deklaratës u bëjnë thirrje BE-së, SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar që të ndërmarrin një hetim të plotë mbi sulmin në Banjska dhe të angazhohen për publikimin e rezultateve.

Deklarata është nënshkruar nga Alicia Kearns (kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar), Michael Roth (kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut, Gjermani), Charles Flanagan (kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe të Mbrojtjes, Republika e Irlandës), Pavel Fischer (kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Senatit të Republikës së Çekisë), Rihards Kols (kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Letonisë), Marek Zhenishek (kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Çekisë), Zhygimantas Pavilionis (kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Lituanisë), Marko Mihkelson (kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Estonisë), Mark Demesmaeker (kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit të Belgjikës), Domagoj Hajdukoviq (kryetar i Komisionit për Çështje Europiane i Parlamentit kroat), Michael Jensen (kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Danimarkës), Lia Quartapelle (zëvendëskryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Çështje Europiane e Parlamentit të Italisë), dhe Ekaterina Zaharieva (zëvendëskryetare e Komisionit për Politikë të Jashtme në Asamblenë Kombëtare të Bullgarisë.