Foto: Atdhe Mulla

Çfarë ndodh nëse keni votuar me postë dhe tentoni të votoni sërish në Kosovë?

Qytetarët nga diaspora të cilët kanë votuar përmes postës, nuk mund të votojnë edhe fizikisht në Kosovë. Kodi Penal në Kosovë parasheh se votimi i dyfishtë apo tentimi për votim të dyfishtë paraqet vepër penale që mund të dënohet edhe me burg.

Përderisa  Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se janë përkujdesur që votuesit nga jashtë të mos gjenden edhe në lista brenda Kosovë, Prokuroria e Shtetit ka paralajmëruar se do të jenë në gatishmëri për të hetuar secilin keqpërdorim të mundshëm të votës në ditën e zgjedhjeve.

Valmir Elezi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se qytetarët e regjistruar me sukses për votim nga diaspora, nuk janë në listat e votuesve në Kosovë.

“Kjo çështje është qartësuar me Rregullën Zgjedhore për votimin jashtë Kosovës. Aty precizohet se KQZ-ja duhet ta përpilojë listën votuese jashtë Kosovës e cila përmban të dhënat e atyre votuesve që me sukses janë regjistruar për votim jashtë Kosovës dhe t’i largojë emrat e tyre nga lista e votuesve që përdoret në vendvotime”, tha ai.

Koordinatorja e Prokurorisë për zgjedhjet, Laura Pula në një prononcim për KALLXO.com ka paralajmëruar se do të merren masa nëse paraqiten raste të votimit të dyfishtë.

“Nëse përmbushet ndonjë prej elementeve  të veprave penale të përcaktuara nga kodi penal, atëherë është vepër penale. Duhet të shohim edhe mënyrën e votimit, arsyet e votimit, por ata që kanë votuar në diasporë e kanë të paraparë sesi votohet. Nuk kemi pasur ndonjë situatë, duhet të trajtohen rastet e tilla, edhe mandej dalim me veprime konkrete”, tha ajo.

Besim Kelmendi, nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njoftoi për hapat që do t’i marrë prokuroria në rast kur ndonjë nga qytetarët, vëzhguesit apo komisionerët e ngre alarmin se po votohet për të dytën herë.

“Së pari njoftohet koordinatorja, pastaj e delegon te prokuroria kompetente, dhe menjëherë fillohet të verifikohet rasti nëse është e vërtetë, nëse ka dëshmi se është e vërtetë atëherë fillojnë hetimet dhe vazhdon procedura”, tha ai.

Kelmendi për KALLXO.com tha se informacionet për keqpërdorim të votës do të verifikohen nga prokurorët kujdestarë.

“Prokuroria e ka marrë përsipër që çdo informacion lidhur me keqpërdorimin e votës menjëherë do ta verifikoj përmes prokurorëve që janë caktuar si kujdestar, dhe nëse ka një dyshim të bazuar do të filloj procedura penale ndaj secilit”, tha ai.

Sipas Kodit Penal të Kosovës kushdo që voton ose tenton të voton në emër të personit tjetër, voton ose tenton të voton edhe pse ka votuar një herë ose shfrytëzon më shumë se një listë votimi, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet.

Ndërsa Anëtari i Komisionit Zgjedhor i cili i mundëson tjetrit të kryej ose të tentojë të kryej veprën këto vepra penale dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt, të dielën.

Qytetarët nga diaspora kanë mundur të aplikojnë për të votuar për këto zgjedhje gjatë periudhës së aplikimit 13 deri në 21 janar.

Sipas të dhënave të KQZ-së, ky institucion përgjatë kësaj periudhe ka pranuar gjithsej 130 mijë e 168 aplikacione për regjistrim. Pas vlerësimit të aplikacioneve janë aprovuar 102 mijë e 100 aplikacione, ndërsa janë refuzuar 28 mijë e 68 aplikacione.