Vrasja e Liridona Murselit, Prokuroria: Kërkesa për masë të paraburgimit ndaj tre të dyshuarve brenda afatit do t`i dorëzohet gjykatës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave te dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit më 29 nëntor në kryeqytet.
Zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj për Kallxo.com bëri të ditur se kërkesa do dërgohet në gjykatë brenda afatit ligjor.
“Kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit është përpiluar nga prokurorja e Shtetit ndaj tre personave të dyshuar, të përfshirë në rastin e vrasjes së rëndë dhe brenda afatit ligjor do të delegohet në gjykatë”- bëri të ditur Ulaj.
Ndërsa, seanca dëgjimore është caktuar për ditën e diel.
Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.
Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave të dyshuar: dorasin G. P. dhe N. M., bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.
Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K. K., pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.