Për llojin e farës bujqësore që lejohet të përdoret në Holandë, në Kosovë kërkohen 2 vite 'testim'
Bedri Kasumi, pronari i kompanisë “Pestova”, e cila merret me kultivimin e patates dhe prodhimin e produkteve të saj, ka rrëfyer në emisionin “KALLXO Përnime” për sfidat me të cilat përballen si prodhues kosovarë.
Pasi përpunimin e patates e bëjnë me teknologjinë holandeze dhe me partnerin holandez, Kasumi shpjegoi se si Kosova e burokratizon çështjen e farave, për çka tha se nevojitet të testohen dy vite, edhe nëse ato vijnë nga Bashkimi Evropian.
E ndryshe, sipas tij, veprojnë në Mal të Zi, ku ai tregon se ka biznes. Në vendin fqinj, Kasumi thotë se çdo gjë [në këtë rast fara] që lejohet në vendet e BE-së, lejohet të rritet edhe në Mal të Zi.
“Për me shitë produkt duhet me pasë kualitet, për me pasë kualitetet duhet me pasë lëndë të mirë, me pasë lëndë të mirë duhet me pasë farë të mirë, plehra të mira, pesticide.. etj. Një farë e re që del, duhet se paku dy vite të testohet (në Kosovë), për më u futë në listën kombëtare (të përdorimit) dhe duhet me pritë. Unë kam biznes në Mal të Zi. Atje çdo gjë që lejohet në BE lejohet në Mal të Zi. Ne po dalim pak më të mençur se BE-ja!” – tha ai.
“Diçka që nuk lejohet me u prodhu në arat e BE-së, nuk duhet të lejohet as në Kosovë, mirëpo çka lejohet atje, s’ka nevojë t’i hyhet procedurave të regjistrimit sikurse me qenë ne prodhues i asaj fare e të prodhojmë ne dosje 200 faqe” – thotë ai.
“Kur unë i them një holandezi që t’i duhesh me ma dërgu një sasi të farës (së patates) që me testu unë në Kosovë, ai e sheh si absurde” – ka thënë ai.
Në pyetjen se a kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë të hiqet kjo burokraci për farat që vijnë nga BE-ja, Kasumi tha kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Subvencionet (që i jep Qeveria) nuk bën me i nënçmu, vitin e kaluar i kanë dyfishu (subvencionet) edhe për pataten, është mirë, kam përfitu për sipërfaqen që e kam pasur të mbjellë”
Në anën tjetër, Kasumi ka kërkuar përshkallëzim të TVSH-së së patates.
Ai thotë se në Kosovë patatja në tregun vendor ka taksën 18 për qind, e në Maqedoninë e Veriut thekson se është 5 për qind kjo taksë.
“Ne merremi me prodhimin, grumbullimin dhe eksportin e patates. Fermerëve që qarkullojnë deri në 30 mijë euro, ne jemi të obliguar me ua pagu një për qind (taksën), tjetra është që patatja nëse shitet në tregun vendor ka 18 për qind taksë, (që) është shumë! Në Maqedoni është 5 për qind. Duhet me u përshkallëzu TVSH-ja! Fermerit duhet me i ndihmu se aty fillon gjithçka, ai ballafaqohet me plot probleme të tjera” – ka thënë ai.