Pronari i ‘Vipa Chips’: Konkurrencën kryesore e kemi nga Serbia
Bedri Kasumi nga kompania “Pestova”, e cila produkt kryesor e ka “Vipa Chips”-in, ka deklaruar se konkurrent kryesor në prodhimin e çipsit e kanë Serbinë.
Kasumi në emisionin “KALLXO Përnime”, ku po diskutohet për sfidat e prodhuesve kosovarë, ka thënë se prodhimet e huaja vijnë me kushte më të mira. Në këtë aspekt, ai thotë se prodhuesit serbë stimulohen nga shteti i tyre për eksport.
“Konkurrencën kryesore e kemi nga Serbia, është çipsi i prodhuar atje. Megjithatë jemi superiorë dhe jemi në avantazh në përqindjen e shitjes së çipsit. Ne përmbushim diku 50-60 për qind të tregut (të Kosovës) përkundër gjithë konkurrencës se nuk është vetëm Serbia (konkurrent), është edhe Kroacia, Hungaria, Turqia. Qëndrojmë mirë. Megjithatë nuk jemi të kënaqur sepse produketet që neve na konkurrojnë, ato vijnë me kushtet më të mira. Kanë përparësi se e kanë stimulimin e eksportit (në shtetin e vet), na nuk kemi, përjashtim të subvencioneve”- ka thënë Kasumi.
Sipas tij, përveç subvencionimit direkt në ara që është bërë vitin e kaluar me rritje deri 100 për qind – nuk ka subvencionim tjetër nga shteti.
Ai tregon se 60 për qind të prodhimit mbetet në tregun kosovar dhe pjesa tjetër është për eksport.
Kasumi paralajmëron një linjë që do të dyfishojë kapacitetet e prodhimit.
“40 për qind është rritur me sasi eksporti vitin e kaluar. Është dashtë dy herë me i shtrenjtu për shkak të rrethanave që për neve janë jonormale, 23 për qind gjatë vitit të kaluar. 60 për qind të prodhimit shkon në Kosovë dhe 40 për qind është eksport. Jemi tu e përgatitë linjën me kapacitet dyfishtë më të madh, me teknologji më të përsosur dhe në teknologji, me linjën e re jemi ndër më të mirët, jo më të mëdhenjtë në Evropë por ndër më të mirët” – u shpreh ai.
Kompania “Pestova” merret me prodhimin e farës së patates, kultivimit të patates për konsum dhe përpunim, si dhe shitjen dhe distribuimin e patates dhe produkteve të saj.
Në emisionin e sotëm ku për temë diskutimi janë sfidat e prodhuesve kosovarë të ftuar janë Burim Piraj nga kompania “MEKA Hallall Food”, Astrit Bunjaku nga fabrika e prodhimit të produkteve nga qumështi “Drena”, Bedri Kasumi nga fabrika e prodhimit të çipsave “Pestova Vipa Chips”, Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve, po ashtu pronar i Tregu Group, dhe i marketeve “Molla” dhe restorantit “Molla e Egër Agroturizmi”.