Millaku: Nuk mund të marrësh subvencione nga Ministria nëse e ke tokën në hipotekë
“Nuk mundesh me marrë subvencione nga Ministria e Bujqësisë nëse e ke tokën në hipotekë”.
Kështu rrëfen Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve, po ashtu pronar i Tregu Group, dhe i marketeve “Molla” dhe disa restoranteve.
Millaku në emisionin “KALLXO Përnime” ku u debatua për sfidat e prodhuesve vendorë, ka treguar kërkesat që ka ngritur te Ministria e Bujqësisë.
Ai ka kërkuar që shteti kosovar t’i subvencionojë bujqit. Ai krahason praktikën e ndjekur në Turqi.
“Kryeministri thotë (që ka bërë) subvencione, por unë si përfaqësues i ‘Molla e Egër Agroturizëm’ nuk kam mund me e thith asnjë subvencion sepse jam në hipotekë, kredi bankare. Kushti për subvencione është mos me qenë në hipotekë parcela” – ka rrëfeyer ai.
“Marr pjesë në çdo organizim të Ministrisë së Bujqësisë, e kam ngritë (këtë çështje). (Gjithashtu) kam thanë që TVSH-ja duhet me qenë pesë për qind për bujqit, duhet me u hek krejt besa (sepse) nëse një turk i prodhon me qindra mijëra kilogramë speca në Turqi dhe arrin me i shitë gjysmën e tyre në vendet jashtë Turqisë, merr më shumë pare sesa që kushton speci me u prodhu (sepse shteti ia subvencionon eksportin). Shteti duhet me i subvencionu bujqit nëse don me eksportu” – shtoi ai.
Ai ka thënë se Qeveria duhet t’i heqë taksat për të gjithë bujqit.
Në anën tjetër, Bedri Kasumi nga kompania “Pestova” ka kërkuar përshkallëzim të TVSH-së së patates.
Ai thotë se në Kosovë patatja në tregun vendor ka taksën 18 për qind, e në Maqedoninë e Veriut thekson se është 5 për qind kjo taksë.
“Ne merremi me prodhimin, grumbullimin dhe eksportin e patates. Fermerëve që qarkullojnë deri në 30 mijë, ne jemi të obliguar me ua pagu një për qind (taksën), tjetra është që patatja nëse shitet në tregun vendor ka 18 për qind taksë, (që) është shumë! Në Maqedoni është 5 për qind. Duhet me u përshkallëzu TVSH-ja! Fermerit duhet me i ndihmu se aty fillon gjithçka, ai ballafaqohet me plot probleme të tjera” – ka thënë ai.