Përfaqësuesi i ‘Drenës’: Vetëm 50-60 euro është subvencioni i shtetit për lopë që kushton rreth 2,000 euro
Astrit Bunjaku, përfaqësues i kompanisë “Drena” e cila merret me prodhimin e qumështit dhe nënprodukteve të tij në Kosovë, në emisionin “KALLXO Përnime” ka folur për mungesën e lëndës së parë – qumështit, me të cilën përballen si fabrikë.
E vetëm dy fabrika në Kosovë merren me këtë veprimtari, thotë Bunjaku.
Bunjaku thotë se kjo vjen pasi në Kosovë nuk ka lopë të mjaftueshme.
“Kosova me lëndën e parë ka mungesë tash e dy vite, nuk ka qumësht prej lopëve, nuk ka lopë të mjaftueshem në Kosovë. ‘Drena’ është në mesin e dy kompanive të vetme që prodhojnë qumësht, kapacitetet e fabrikës tonë janë të mjaftueshme më mbulu krejt tregun, bashkë me kompaninë tjetër. Mirëpo në mungesë të qumështit nga fermerët, ka dificit të madh” – ka thënë ai.
Shtrenjtimi i ushqimit të kafshëve ka dekurajuar bujqit që të merren me rritjen e lopëve, thotë Bunjaku.
Bunjaku ka theksuar se nga Ministria e Bujqësisë subvencionohet blerja e lopës me një vlerë simbolike 50-60 për lopë. E një lopë, thotë ai, kushton deri 2 mijë euro.
Ai tregon se në mungesë të kafshëve kanë stimuluar fermerë që të blejnë lopë përmes kredisë. Tutje shton se kompania “Drena” ua ka paguar fermerëve interesin e kredisë.
Kjo është praktikë që tre vite, thotë ai, dhe se gjatë kësaj periudhe janë rreth 100 fermerë që janë stimuluar në blerjen e gjedheve. Këtë shifër Bunjaku e ka cilësuar të ulët për “t’i mbuluar kapacitetet”.
“Shtrenjtimi i ushqimit të lopëve e ka dekurajuar bujkun (që të merret me rritjen e tyre). Në mungesë të kafshëve, diçka që e kemi bë na, e jo shteti, është se i kemi stimulu fermërët që me marrë lopë përmes bankës, ndërsa “Drena” e ka subvencionuar interesin e kredisë. Fermeri e ka pasë të sigurt edhe ku e shet qumështin, çmimin e ka pasur të garantuar, sidomos vitin e kaluar e kemi pasë çmimin më të lartë për me i stimulu fermerët” – ka thënë Astrit Bunjaku në “KALLXO Përnime”.
“Të kish qenë situata që ka landë të parë në Kosovë (pra qumësht), prej 1 milion e 200 litra (që i prodhojmë sot), kishim mund me e dyfishu këtë sasi” – thotë ai.
Ai tregon se në bazë të të dhënave të fundit që posedojnë, rreth 40 për qind të tregut e mbulojnë dy kompanitë të qumështit që funksionojnë në Kosovë.
Në emisionin e sotëm ku për temë diskutimi janë sfidat e prodhuesve kosovarë të ftuar janë Burim Piraj nga kompania “MEKA Hallall Food”, Astrit Bunjaku nga fabrika e prodhimit të produkteve nga qumështi “Drena”, Bedri Kasumi nga fabrika e prodhimit të çipsave “Pestova Vipa Chips”, Ragip Millaku nga Shoqata e Gastronomëve, po ashtu pronar i Tregu Group, dhe i marketeve “Molla” dhe restorantit “Molla e Egër Agroturizmi”.