Bordi i RTK-së i quan "sulme të grupeve të interesit" denoncimet për diskriminim gjinor në mediumin publik

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se transmetuesi publik ka filluar dhe do të vazhdojë me procesin e reformimit, fuqizimit të kredibilitetit dhe rritjes së prodhimit.

Ata i kanë quajtur ‘sulme të grupeve të interesit’ denoncimet për diskriminim gjinor në RTK.

“Në këtë rrugëtim jo të lehtë, nuk ka vend për sulme, shpifje, insinuata, por bashkim forcash në misionin e përbashkët dhe për ta bërë RTK-në lider në tregun medial në Kosovë. Në këtë kohë është qartazi e dukshme se ka fushatë kundër Bordit nga grupe të ndryshme të interesit, brenda dhe jashtë RTK-së, me qëllimin e vetëm, arritjen e synimeve të shpërfaqura hapur për të ndikuar në punën e transmetuesit publik”- thuhet në komunikatë.

Tutje, bordi potencon se për këto procese kanë qenë të hapur për debat, duke hapur mbledhjet e bordit dhe ofruar transparencë të plotë, për herë të parë në RTK.

“Kemi zhvilluar shumë takime e kemi dëgjuar dhe adresuar pastaj në Menaxhment ankesat dhe shqetësimet e punëtorëve që kemi pranuar duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie. Vendime të tjera në rritje të efikasitetit dhe përgjegjësisë në punë do të merren në vazhdimësi”- thuhet më tej nga bordi.

Sipas bordit, si hap të parë dhe bazik janë kërkuar raport mujor për aktivitetet ditore të punëtorëve.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontributin e punëtorëve, prandaj si hap i parë dhe bazik, kemi kërkuar nga Menaxhmenti që të aplikojë raportimin mujor, për aktivitete ditore në mënyrë që vlerësimi vjetor i punëtorëve të bazohet në të dhëna të matshme dhe në mënyrë që të rritet llogaridhënia ndaj publikut, të cilit RTK i takon”- thuhet më tej në komunikatë.

Bordi thekson se do jenë të hapur që të diskutojnë çdo çështje, ndërsa mirëpret kritikat objektive që kanë për qëllim avancimin e transmetuesit publik.

Sindikatat e punëtorëve të RTK-së më 11 shtator kanë filluar mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin për të kërkuar dorëheqjen e kryesuesit të bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Dorëheqja e Boletinit po kërkohet pas deklaratës së tij se ai merr informacione se në mediumin publik “punëtorët vijnë me pizhame e miniqa”.

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës në mbledhjen e 6 shtatorit ka miratuar propozimin që punëtorët të raportojnë për punët që kryejnë brenda orarit e më pas të bëhet edhe raport mujor për punën e secilit.

Kallxo.com më 1 shtator ka publikuar hulumtimin “Radio Televizioni i Burrave”, i cili zbulon se si tri profesioniste të cilat në procese meritokratike të konkursit u përzgjodhën të merrnin pozicione udhëheqëse në RTK por nuk u lejuan t’i marrin ato pozita.

Rrëfimet ekskluzive të tyre tregojnë për prapaskenat, negociatat, thirrjet në zyra e takimet që synuan t’i bindnin ato të tërhiqeshin nga gara.

Hoxha: Peticionin për shkarkimin e kryetarit të bordit të RTK-së për dy orë e nënshkruan 150 punëtorë

Pas publikimit të hulumtimit, Rrjeti i Grave të Kosovës  ka mbështetur Ilire Zajmin, Mihrije Beiqin e Flora Durmishin, të cilat kanë rrëfyer përvojat e tyre në konkurset e RTK-së.

“Ne duam të mbështesim këto gra dhe të gjitha gratë që kanë synime për pozita vendimmarrëse të qëndrojnë të forta dhe të mos dorëzohen nga presionet që mund të iu behën dhe përmes rrugës ligjore t’i fitojnë të drejtat e tyre”- kanë deklaruar nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, ka reaguar duke thene se në RTK ka gra që mund të jenë në pozita të larta menaxheriale, por sipas tij, atyre nuk u vjen rendi që të zgjidhen. Muharremi ka thënë se në institucione publike duhet t’u krijohet më shumë hapësirë grave.

Derisa, kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, ka thënë për KALLXO.com se me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, Ilire Zajmi, Flora Durimishi dhe Mihrije Beiqi kanë të drejtë të ngrenë padi.

“Me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi të tri kandidatet kanë të drejtë të ngrisin padi për diskriminim deri në 5 vite pasi ka ndodh diskriminimi dhe në momentin kur e kanë kuptuar që ka ndodhë diskriminimi. Duke u bazuar vetëm në hulumtimin tuaj fitohet përshtypja se diskriminimi ka ndodhur në të tri rastet, andaj që të tri kandidatet kanë rast të pastër për gjykatë themelore, ku njëra veç e paska ushtru këtë të drejtë”- ka thënë kryeshefja ekzekutive e Agjenicë për Barazi Gjinore.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Doarsa Kica Xhelili e ka quajtur paradoksale faktin që bordi i RTK-së “nuk po e përfill formulën gjinore dhe ligjore me të cilën është zgjedhur vet”.

“Të gjithë ata anëtarë janë plotësisht të vetëdijshëm që gjatë procesit të emërimit të tyre jemi ballafaquar me kritika e rezistencë që ta bëjmë një hap shtesë për arritjen e barazisë faktike gjinore. Dhjetëra shigjeta u patën kthyer nga ne pikërisht për këtë. E gjithë ajo betejë nuk u bë që Bordi t’i harroj parimet bazë mbi të cilat është zgjedhur, e që ishin meritokracia, evitimi i plotë i ndërhyrjeve politike dhe barazia gjinore” – ka thënë deputetja.

Mimoza Kusari- Lila, kryetare e grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka deklaruar se detajet e proceseve që përshkruhen në hulumtim “…nuk i kam pasë, në fakt, asnjëra nga kandidatet nuk na ka kontaktu (të paktën mua jo dhe tjerët rreth meje), për ndonjë parregullësi”.

“Më vjen keq nëse nisma aq shumë e synuar për barazi (gjinore në bord) po dështon në RTK (nëse komfirmohen këto ndërhyrje), por natyrisht që përmes Komisionit funksional do t’i përcjelli prej së afërmi këto procese”, tha Kusari- Lila për Kallxo.com më 2 shtator, një ditë pasi që u publikua hulumtimi.

Tri partitë opzitare LDK, PDK dhe AAK po ashtu kanë reaguar.

Arben Gashi, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së tha që “ky pushtet është shndërruar në pushtet diskriminues. Rasti i diskriminimit të grave për pozitat vendimmarrëse në RTK është në vazhdën e sjelljes diskriminuese të këtij pushteti”.

“Diskriminimi që iu bë këtyre grave profesioniste, meritore dhe shumë të suksesshme është i papranueshëm dhe i dënueshëm, andaj duhet të kemi qasje përbashkuese në ballafaqim me këtë padrejtësi të madhe pushtetare”, tha Gashi për Kallxo më 4 shtator.

Në anën tjetër, Abelard Tahiri, kryetar i grupit parlamentar të PDK-së dhe Eliza Hoxha, deputete që ngrit çështje të të drejtave të njeriut dërguan një deklaratë të përbashkët në Kallxo.com më 5 shtator duke thënë që është “për keqardhje të shohësh në vazhdimësi presionin politik dhe diktimin që bëhet në proceset e zgjedhjes në pozitat drejtuese të institucioneve publike, në këtë rast RTK-së”.

“Një qeveri që ka marr 67% të votës së gruas në Kosovë, një qeveri që flet gjithë ditën për barazi e respektim të ligjit për barazi gjinore për proceset perzgjedhëse e shohim çdo ditë duke e bërë të kundërtën”, shtuan Tahiri dhe Hoxha.

Edhe dy pjesëtare të Vetëvendosjes që ishin njëra gazetare dhe tjetra aktiviste e të drejtave të grave para se të hyjnë në parti, reaguan lidhur me këtë hulumtim.

Tinka Kurti, tash udhëheqëse e grupit të grave në parlamentin e Kosovës nga rradhët e Vetëvendosjes dhe dikur gazetare tha se “asnjë ankesë nga këto gra nuk ka ardhur në Kuvend. Ato janë të afta dhe të zonja për t’i mbrojtur të drejtat e tyre nëse ka pasur ndonjë parregullsi”.

“Unë sigurisht që jam mbrapa për t’i përkrahur nëse ka parregullsi gjinore ose të ndonjë natyre tjetër”, tha Kurti më 5 shtator për Kallxo.com.

Ndërsa Nazlie Bala, ish aktiviste e tash këshilltare politike në Ministri të Drejtësisë tha se:“Kemi gra të zonja dhe profesioniste të dëshmuara në punë dhe kudo. Kur kemi të bëjmë me vendimarrje dhe punësimin e grave.