Foto arkiv

Bllokohet përkohësisht trafiku nga udhëkryqi Gjakovë–Klinë deri te rruga për Gjurgjevik

Qarkullimi i trafikut nga udhëkryqi Gjakovë-Klinë deri tek udhëkryqi i rrugës për Gjurgjevik, do të ndërpritet përkohësisht, sot më 04.03.2026.

Kështu ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Sipas Ministrisë, ndërprerja e trafikut do të realizohet në interval kohor nga ora 08:00, deri në perfundimin e riparimit (sanimit), por jo më gjatë se 48 orë.

Sipas ministrisë, mbyllja e rrugëve do të bëhet për shkak të disa punimeve në kuadër të projektit për zgjerimin e rrugës nacionale, në disa segmente të caktuara, si ai Kijev-Dollc dhe në vendin e njohur si Kalaja e Dollcit.

“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe pjesëmarrëve në trafik për shqetësimet e mundshme gjatë kësaj periudhe”- shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë.

Më 25.03.2024 ishte nënshkruar kontrata në vlerë 21 milionë euro për segmentin Kijevë-Dollc.

Qeveria e Kosovës më 22.11.2023, kishte miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, Segmenti Kijevë-Dollc, Zona Kadastrale: Kijevë, Komuna Malishevë dhe Zonat Kadastrale: Çabiq, Zabërgjë, Gllarevë, Dresnik, Gremnik dhe Dolle të Komunës së Klinës.

Më 25.03.2024, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shpallur tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale Prishtinë-Pejë, përkatësisht segmenti Dollc – Zahaq. Vlera e parashikuar për katër llote të këtij tenderi është 45,690,000 euro.

Segmenti i kësaj rruge ka gjatësi totale 16.27 km, e ndarë në 4 lote, me buxhet të planifikuar të projektit prej rreth 46 milionë euro.