Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Ministri Aliu: Nënshkruhet kontrata 21-milionëshe për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë-Dollc

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar më 25.03.2024 se është nënshkruar kontrata për fillimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë – Pejë, segmenti Kijevë-Dollc.

Kjo kontratë, siç ka bërë të ditur ministri, kap vlerën 21 milionë euro dhe se rruga do të jetë me katër korsi.

“Rruga është me katër korsi, e ndarë në 4 llote, dhe përshkon gjatësi totale prej 12.8 km, rrugë e cila do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e mijëra banorëve dhe do të shërbejë si mundësi për zhvillim ekonomik të vendit. Po e realizojmë edhe një zotim tjetër”- ka shkruar Aliu në Facebook.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës pati miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, Segmenti Kijevë-Dollc, Zona Kadastrale: Kijevë, Komuna Malishevë dhe Zonat Kadastrale: Çabiq, Zabërgjë, Gllarevë, Dresnik, Gremnik dhe Dolle të Komunës së Klinës.